Shkup, 17 mars – Sivjet shënohen 30-të vjetori i pavarësisë monetare. Para 30-të viteve, më 26 prill, ishin vendosur bazat e pavarësisë monetare – ishte vendosur denari si valutë, e cila e zëvendësoi dinarin e atëhershëm jugoslloven, ndërsa Banka Popullore filloi të funksionojë si bankë qendrore e pavarur.
“Që atëherë, me kalimin e viteve, të punësuarit në Bankën Popullore me shumë përkushtim, sakrificë dhe vizion kanë punuar në ndërtimin e asaj që e kemi sot – valutë vendore stabile dhe bashkëkohore, kredibile dhe e pranuar ndërkombëtarisht, bankë qendrore e pavarur. Këtë herë, institucioni përballej me një numër të madh sfidash, si në lidhje me zbatimin e reformave të rëndësishme me orientim të tregut në sistemin bankar, ashtu edhe në lidhje me ballafaqimin me goditjet nga natyra të ndryshme. Në të gjitha këto situata ishin realizuar qëllimet bazë të punës së Bankës Popullore”, thonë nga Banka Qendrore.
Prej atje, shtojnë se 30-të vite punë e suksesshme janë garancion se edhe në periudhën në vijim banka qendrore do të ketë kapacitet për ballafaqim me sfidat që i sjell situata aktuale.
“Edhe më tutje e ruajmë stabilitetin e denarit, si nga kërcënimet ekonomike ashtu edhe nga ato joekonomike, spekulimet dhe lajmet e rreme, të cilat gjithashtu janë të rrezikshme. Derisa e ruajmë stabilitetin e denarit dhe stabilitetin financiar, njëkohësisht, orientohemi edhe drejt së ardhmes, sipas shembullit të bankave më të mëdha qendrore. Aktivitetet tona të ardhshme janë kahëzuar edhe drejt mundësimit të shërbimeve bankare më të mira dhe më të lira përmes sektorit-fintek, duke e marrë parasysh edhe kiber sigurinë. Më tutje, përpjekja jonë i përfshin edhe financat e gjelbërta, sepse të gjithë bartësit e politikave duhet të jenë të vetëdijshëm se ndryshimet klimatike do të jenë një nga kërcënimet më të mëdha të shekullit 21”, theksojnë nga Banka Popullore.
Jubileu do të shënohet me disa ngjarje. Mes tjerash do të mbahet akademi solemne dhe konferencë hulumtuese që organizohet në partneritet me Bankën Evropiane të investimeve (BEI), ndërsa në të cilën është paralajmëruar prania e guvernatorëve dhe zëvendësguvernatorëve të bankave qendrore nga rajoni dhe Evropa, si dhe përfaqësues nga organizatat financiare ndërkombëtare, opinioni shkencor dhe sektori bankar.