Shkup, 3 gusht – Kanë kaluar një muaj e gjysëm nga dështimi i mbledhjes së dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, që duhej të mbahet në Gjakovë. Veç pak orë para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, kryeministri shqiptar Edi Rama, më 14 qershor pat dalur në një konferencë të jashtëzakonshme. Kur Qeveria e Kosovës tashmë ishte afër përgatitjeve të fundit për këtë takim, Rama pat dhënë lajmin se e ka anuluar këtë mbledhje, shkruan Zhurnal.
Ai pat thënë se për këtë gjë e ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se arsyet lidhen me përplasjen e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike, duke shtuar po çan marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë euro-atlantike. “Kjo situatë po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlanitke, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit po vë gishtin te butoni për planin e aksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë tutje ai.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, deklaroi asokohe Edi Rama.
“Inati” filloi me propozimin e Ramës për Asociacionin, vazhdoi me dështimin e mbledhjes ndëqeveritare
Në kohën kur “vlonte” situata në Veriun e Kosovës dhe kur qeveria e saj kishte nevojë për përkrahje sa mëtë fuqishme mbarëkombëtare e ndërkombëtare, Rama pat kërkuar që të ngushtohet formati i takimit në vetëm nga tre ministra në të dy anët, gjë që kishte refuzuar kryeministri Kurti.
“Nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, por kjo nuk është e mundur”, ka thënë ai
Qeveria e Kosovës pas anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, të paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, tha se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.
Anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, nuk ishte fillimi, por vazhdimi i “vibrimeve” negative mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Këto vibrime kishin filluar pak më herët kur u bë e ditur se kryeministri i Shqipërisë ka përgatitur një propozim për formimin e Asocioacionit të komunave serbe në Kosovë dhe atë ua kishte dorëzuar krerëve evropianë, si model për arritje të zgjidhjes, shkruan Zhurnal.
Mirëpo kjo ngutje e Ramës, revoltoi edhe pushtetin edhe opozitën në Prishtinë. Shtoje këtu edhe dështimin e mbledhjes së përbashkët, raportet mes dy shtetev shqiptare ranë deri në nivel aq të ulët, sa që rrallë e kishte paramenduar, sepse kryeministri shqiptar Edi Rama nuk u pranua nga kryeministri kosovar Kurti, gjatë qëndrimit në Prishtinë, në kuadër të turneut rajonal për të njoftuar liderët e Ballkanit Perëndimor se Open Ballkani ka përfunduar dhe se duhet të favorizohet Procesi i Berlinit. Më pas Kurti nuk shkoi në Shqipëri në takim të liderëve rajonalë, duke zgjedhur të marrë pjesë në një konferencë në Greqi.
Ende nuk ka përgjigje për idenë e takimit Rama-Kurti në Shkup
Sa është keq që ndodhi përplasja, aq më keq është që hatërmbetja mes dy kryeministrave po vazhdon ende, shkruan Zhurnal.
Në ndërkohë pati një iniciativë nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për mbajtje të një takimi mes Ramës dhe Kurtit në Maqedoninë e Veriut. “Ne si Aleancë për Shqiptarët dhe shqiptarë të Maqedonisë së Veriut e kishim ngritur këtë iniciativë të organizohet në Shkup një takim midis dy kryeministrave”, u shpreh Taravari.
Ai ishte shprehur i gatshëm që të organizojë takim me dy kryeministrat ku do të bëhej strategji për dy shtetet dhe më pas ajo strategji të ketë impakt në gjithë rajonin.
Sipas Taravarit, mostakimi mes dy kryeministrave nuk është aspak gjë e mirë dhe se kjo shkon në dëm të gjithë shqiptarëve. Për fat të keq, kjo iniciativë e Taravarit as nuk u pranua, e as nuk u komentua deri tani. Kurse inati nëse vazhdon mes dy kryeministrave, nuk u sjell asgjë të mirë as Shqipërisë, e e as Kosovës, e aq më pak shqiptarëve dhe rajonit. /Zhurnal