Shkup, 5 maj – Shefi i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Republikës së Italisë, admirali Xhuzepe Kavo Dragone sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Admirali Dragone, pas pritjes me nderime të larta ushtarake, u takua me homologun e tij shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-nënkolonelin Vasko Gjurçinovski dhe ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ku mori pjesë edhe ambasadori i Republikës së Italisë, Andrea Silvestri ku dhe pasuan diskutime tematike mes delegacioneve, njofton MM.
Në takim me admiralin Dragone, ministrja Petrovska shprehu kënaqësinë për shkak të bashkëpunimit të suksesshëm në mbrojtje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, ndërsa vizitën e admiralit e vlerësoi si mundësi të jashtëzakonshme për të precizuar mënyrat se si ai bashkëpunim të thellohet.
“Maqedonia e Veriut dhe Italia janë dy vende aleate të cilat e ndajnë të njëjtin qëndrim për sigurinë në Evropë, vlerat dhe parimet e njëjta – demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e rendit ndërkombëtar”, tha Petrovska.
Ministrja dhe admirali Dragone kanë biseduar edhe mbi situatën në Ukrainë, për të drejtën e këtij vendi për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e saj dhe përshëndeti zgjerimin e Aleancës me shtetin e ri anëtar Finlandën.
Gjenerali Gjurçinovski theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ushtarak dhe zhvillimit të mëtejmë të iniciativave të iniciuara gjatë vizitës së vitit të kaluar në Itali.
“Mbështetja e vazhdueshme nga Republika e Italisë për përfshirjen tonë më intensive në strukturat e NATO-s, si dhe mbështetja në fushat e edukimit dhe trajnimit ushtarak në fusha të veçanta ka një rëndësi të madhe për Armatën tonë. Njëherësh besimi i arritur deri tani me pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet ndërkombëtare ku Italia ka një rol udhëheqës vazhdimisht po forcohet”, theksoi Gjurçinovski.
Vizita e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Italisë e cila është ndër vendet më të mëdha dhe më me ndikim të NATO-s në Evropë, përfaqëson besimin dhe njohjen e shprehur qartë për standardet e arritura dhe ndërveprueshmërinë e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta dhe janë bazë për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve të ndërsjella në sferën ushtarake, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.