Shkup, 18 maj – Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler ka thënë se konzorciumi “Bechtel@Enka” punon sipas ligjit dhe është kompani transparente duke krijuar një reputacion në mbarë botën. Sipas ambasadores amerikane kritikat e opozitës janë pa argumente dhe kanë për qëllim fitimin e pikëve politike. Ageler tha se korridoret 8 dhe 10 do të jenë me përfitim të madh për qytetarët e vendit. “Opozita, pa pasur të gjitha faktet kritikon diçka për të cilën nuk kanë informacion. E bëjnë thjesht për të qenë kundër qeverisë. Kjo është punë e opozitës, por në të njëjtën kohë kam besim të plotë se procesi në të cilin është përfshirë “Bechtel” është tërësisht transparent dhe ligjor sepse ata funksionojnë kështu”, ka deklaruar Ageler.
Lidhur me pohimet e ambasadores amerikane nga VMRO DPMNE deklaruar se është interes të përbashkët edhe të Agelerit edhe të qytetarëve maqedonas që të publikohet marrëveshja e nënshkruar nga Qeveria e Maqedonisë me kontraktorin. Zëdhënësja Marija Miteva tha se interesi i qytetarëve të Maqedonisë është që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mbrohen të drejtat e punëtorëve maqedonas sa i përket orarit të punës dhe kohëzgjatjes së javës së punës. Ndërkohë në Kuvend edhe sot ka vazhduar debati për propozim Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për planin urbanistik, me procedurë të shkurtuar, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10.