Kombëtarja e Kosovës pas fitores së arritur të enjten si mysafire kundër Qipros, pasditen e së premtes ka vazhduar me stërvitje në Kampin Nacional në Hajvali.
Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur që për pjesën e futbollistëve të cilët luajtën të ketë një stërvitje rigjeneruse, teksa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje normale.
Nisma e mbarë e këtij cikli kualifikues ka bërë që edhe atmosfera në radhët e Dardanëve të jetë shumë e mirë dhe të gjithë e presin me optimizëm duelin e radhës, ndonëse janë të vetëdijshëm se kundër Greqisë duhet të kenë një paraqitje dukshëm më të mirë për të arritur fitoren e radhës.
Mbrojtësi Fidan Aliti ka deklaruar se të gjithë në ekip janë të vetëdijshëm se ndeshja me Greqinë do të jetë shumë më e vështirë, por ka shprehur shpresën se edhe paraqitja e Dardanëve do të jetë dukshëm më e mirë.
“E dimë edhe ne që pjesa e parë nuk ishte qysh e kemi pritur, por Qipro ka qenë kompakte dhe ka luajtur mirë në defensivë dhe kjo na ka vështirësuar punët. Por, në pjesën e dytë e kemi treguar kualitetin tonë dhe për ne ka qenë e rëndësishme të marrim tri pikët”.
“E dimë se ndeshja me Greqinë do të jetë krejt ndryshe. Greqia është një kombëtare shumë e fortë dhe me cilësi individuale, por ne edhe në këtë ndeshje shkojmë për fitore dhe shpresojmë se me tifozët tanë ‘Dardanët’ do t’ia arrijmë këtij qëllimi”.
“Normalisht se na bëhet qejfi kur e kemi mbështetjen e madhe të tifozëve sepse ajo na jep një fuqi në stadiumin tonë. Edhe në ndeshjet që i kemi luajtur me kombëtaret e forta gjithmonë me mbështetjen e ‘Dardanëve’ kemi pasur suksese dhe shpresojmë se kështu do të jetë edhe të dielën”, ka thënë Aliti.