Shkup, 27 prill – Me një sërë aktivitetesh, sot dhe në dy ditët në vijim, Ambasada e Parë e Fëmijëve në botë “Megjashi” shënon 30 vjet nga ekzistenca e saj.
Siç informoi “Megjashi”, në ora 17:30 do të mbahet promovimi i librit “Kufijtë e thyer” – pse janë të rëndësishme tregimet e refugjatëve.
Nesër, në restorantin “RAGUSA 360, Rooftop”, do të mbahet ankand gala donacionesh me rastin e 30-vjetorit të themelimit të “Megjashi” me titull “Të kthejmë në modë buzëqeshjet e fëmijëve”.
Siç tregojnë nga “Megjashi”, mjetet e mbledhura do të drejtohen për të mbështetur punën e Allo Bushavkos, linjë përmes së cilës prej 29 vitesh fëmijët dhe të dashurit e tyre mund të kërkojnë këshilla, ndihmë apo mbështetje të çdo lloji.
“Kjo linjë është e vetmja linjë SOS e këtij lloji në Maqedoni të Veriut dhe e specializuar në ofrimin e mbështetjes 24 orëshe në të cilën vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 329 thirrje, 30 për qind më shumë se në vitin 2020. Fatkeqësisht, këto shifra pasqyrojnë vetëm realitetin e problematikave të shkaktuara nga pandemia dhe shprehin nevojën në rritje të përdoruesve, të cilët për ta ruajtur në nivelin e kërkuar duhet të forcohen me një ekip shtesë profesional dhe të trajnuar. Dëshira jonë është që përmes donacioneve të ofruara t’i mundësojmë Allo Bushavkos punën e pandërprerë gjatë gjithë vitit. Prandaj, në kuadër të projektit tonë, misioni jonë është të ofrojmë sa më shumë donacione, të cilat do të ndihmonin sa më shumë fëmijë dhe familje”, theksojnë nga “Megjashi”.
Pas përfundimit të programit zyrtar është paraparë aheng me dixhej.
Të premten, para Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi”, magjistari Kristijan Shopov për fëmijët nga Qendra Ditore për Fëmijët, në rrugë do të ketë prezantim të magjisë dhe përvojave të pazakonta. /Zhurnal.mk




