Shkup, 28 Korrik – Me shumë gjasa, ambasadorët e nominuar, Agron Buxhaku për në Kanada, Evgenija Ilieva për në Sllovaki, Driton Kuçi për në Norvegji si dhe Metodija Belevski për në Belgjikë, verën do ta kalojnë duke e pritur shtatorin, kur Kuvendi dhe deputetët të rikthehen nga pushimet e verës. Kjo sepse pushimet e Kuvendit nisin pas 3 ditësh, më 1 gusht, ndërsa në kalendarin e Kuvendit ende nuk shihet të jetë caktuar seanca e Komisionit në këto tre ditët e mbetura. As dje e as sot Milloshovski nuk ju përgjigj mesazheve tona se a e ka ndërmend ta thërrasë vazhdimin e seancës.
Të pyetur se si e mendojnë rrugëdaljen në rast zvarritjesh, nga Ministria e Jashtme i thanë TV21 se “Presidenti vendos” se çfarë do të bëhet më tej. E kreu i shtetit Stevo Pendarovski konsideron se edhe përskaj asaj se nuk bëhet fjalë për obligim ligjor, prezantimi i tezave të kandidatëve për ambasadorë para Komisionit për Punë të Jashtme është praktikë e mirë politike e këtyre dy dekadave të fundit. Megjithatë, nga Presidenca edhe një herë përsëritën se Pendarovski mund t’i nënshkruaj dekretet nëse vëren përpjekje për bllokim.
“Nëse në periudhën e ardhshme ka bllokim, pra nuk caktohen seanca të Komisionit për Punë të Jashtme, ku ambasadorët e ardhshëm do t’i prezantojnë tezat e tyre para Kuvendit dhe publikut, Presidenti do të jetë i detyruar që të nënshkruajë dekrete për dërgimin e ambasadorëve të cilët i kanë plotësuar kushtet ligjore për t’u dërguar, pa prezantimin në Kuvend”, shkruhet në përgjigjigjen e Presidencës.
Ajo që mbetet si çështje e hapur nga kjo përgjigje janë afatet kohore. Mbetet e paqartë se çfarë nënkupton Presidenca me shprehjen “periudhë e ardhshme”, nëse bëhet fjalë për këto tre ditët e mbetura deri në fillimin e pushimeve, apo edhe pas shtatorit kur deputetët të jenë rikthyer nga pushimet.