Aby Dhabi, 22 shkurt – Drejtori i Përgjithshëm i ATS GROUP Shefshet Demiri pati nderin të mirëpresë ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, Sh.T. Abdulkadar Memedi i shoqëruar nga Bekri Ajdini, këshilltar ekonomik në Ambasadë.
Ambasadori Memedi u informua për linjën e prodhimit të ATS Group, zhvillimin e kompanisë dhe prezantimin në këtë panair.
Ambasadori Memedi shprehu gatishmërinë e Ambasadës për të mbështetur kompanitë nga Maqedonia e Veriut si ATS Group në të gjithë vendet e rajonit MENA duke kontribuar në rritjen e shkëmbimit të përgjithshëm tregtar me Maqedoninë e Veriut dhe vëllimin e bashkëpunimit me kompanitë.
ATS Group është kompania e parë nga Maqedonia e Veriut që merr pjesë për herë të dytë në historinë e fundit 30 vjeçare të IDEX Abu Dhabi.
Kompania është ndër ekspozuesit më të mëdhenj në IDEX 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shfaqur specialitetet e saj të reja dhe një shumëllojshmëri produktesh në industrinë e mbrojtjes në edicionin e 30-të të ekspozitës dhe konferencës ndërkombëtare të mbrojtjes (IDEX) në rajonin MENA.
ATS GROUP, me seli në Shkup, është një korporatë moderne nga Maqedonia e Veriut e përbërë nga tre fabrika, dy prej të cilave janë në Shkup, Vizbeg dhe një në Samokov, me më shumë se 500 punëtor. Të gjitha fabrikat ndjekin standardet më të larta të prodhimit dhe prodhojnë një gamë të gjerë produktesh, cilësia e të cilave njihet globalisht dhe për të cilat kanë marrë çmime të shumta.
ATS Group prodhon produkte të përbëra dhe produkte mbrojtëse balistike dhe siguri balistike për ushtrinë dhe policinë. Përveç kësaj, kompania prodhon municione dhe një linjë të plotë makinerish për prodhimin e municioneve, gjë që e ndihmon atë të rrisë potencialin e saj eksportues nga viti në vit dhe në këtë mënyrë të përmbushë planin dhe misionin e saj të zhvillimit.