Shkup, 27 tetor – Më datën 7 prill të këtij viti, tre persona kishin rrahur për vdekje hendbollistin kroat, Denis Tot, para një klubi nate në Qendër të Shkupit. Bëhet fjalë për Anxhelo Gjorgjievskin, Klementina Levkovskën dhe Andrej Kostovskin, të cilët natën e 7 prillit rreth orës 03:25 – 03:45 e privuan nga jeta të riun kroat.
Ka dyshime se vrasja e tij duhet të llogaritet si vrasje makabre dhe me paramendim, por prokuroria si duket nuk ka vendosur t’i ndjekë ata për veprën e kryer, por i gjykon për vrasje të thjeshtë. Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 22 nga kodi penal, shkruan Zhurnal.
Çfarë parasheh neni 123 nga kodi penal?
Paragrafi 1: Ai që do të privojë nga jeta një person tjetër, do të dënohet me së paku pesë vite burg
Paragrafi 2: Me burg prej së paku 10 viteve apo me burg të përjetshëm do të dënohet ai që:
- tjetrin e privon nga jeta në mënyrë mizore dhe të
pabesë
2) tjetrin do ta privojë nga jeta gjatë ushtrimit të
dhunës familjare,
3) tjetrin do ta privojë nga jeta dhe përveç kësaj me
paramendim do ta sjell në rrezik jetën edhe të ndonjë
personi tjetër,
4) tjetrin do ta privojë nga jeta për shkak të interesit,
për shkak të kryerjes ose mbulimit të ndonjë vepre
tjetër penale, për shkak të hakmarrjes së
pamëshirshme, nga urrejtja ose për shkak të
motiveve tjera të ulëta,
5) tjetrin do ta privojë nga jeta sipas porosisë,
6) tjetrin do ta privojë nga jeta me qëllim të nxjerrjes
së organeve, indeve ose qelizave për transplantim,
7) do të privojë nga jeta grua për të cilën e di se është
shtatzënë ose person i mitur dhe
8) do të privojë nga jeta gjykatës, prokuror publik ose
avokat, gjatë kryerjes së funksionit të vet, përkatësisht
veprimtarisë ose person zyrtar ose ushtarak gjatë
kryerjes së punëve të sigurisë publike ose shtetërore
ose të detyrës ruajtje e rendit publik, kapjen e kryesit
të veprës penale ose ruajtje të personit të privuar nga
liria.
Paragrafi 3: Me burg prej së paku dhjet vjet ose burg të përjetshëm do të dënohet ai që me paramendim do të privojë nga jeta dy ose më shumë persona, për të cilët më parë nuk është gjykuar, përveç nëse nuk bëhet fjalë për vepra penale nga neni 9 paragrafi (3),neni 10 paragrafi (3) dhe nenet 124, 125 dhe 127.
A është e drejtë akuza që ngarkohen tre “vrasësit”?
Që nga fillimi i gjykimit për këtë rast, kemi të bëjmë me një lëshim apo gabim, kushedi të qëllimshëm apo jo nga ana e gjykatësve dhe prokurorëve të cilët kanë vendosur që Gjorgjievskin, Levkovskën dhe Kostovskin t’i ngarkojë thjeshtë për vrasje, e cila parasheh së paku pesë vite burg, e jo për vrasje mizore e cila parasheh së paku 10 vite burg!?
Nga goditjet e forta që kishte marë i ndjeri Denis Tot para klubit të natës, së pari kishte rënë në koma, ndërsa të nesërmen ndëroi jetë. Kjo nuk është vrasje e thjeshtë por duhet të llogaritet vrasje mizore dhe me paramendim. Të akuzuarit shprehen se nuk donin të ndodhte ajo që ndodhi, por familja Tot nga Kroacia, tanimë kanë një anëtar më pak në familje. Hendbollisti i KH Butel fundin e paska patur në Maqedoni.
Arsyeja e kësaj analize është me qëllim për të krahasuar këtë vepër me veprën e vrasjes së Nikolla Sazdovskit disa vite më parë nga ana e të rinjve shqiptarë, Besir Bela, Skender Demiri e Jeton Luzha.
Tre të rinjtë ishin përleshur për një fjalë goje me të riun Nikolla Sazdovski në Autokomandë të Shkupit. Që të tre së pari akuzoheshin për dhunë, por pasi ndëroi jetë Nikolla Sazdovski, akuza u rikualifikua si vrasje mizore.
Krahasimi mes dy veprave penale (vrasjeve)
Me qëllim për të krahasuar dy veprat penale (vrasjet) e Denis Tot dhe Nikolla Sazdovskit, duam që t’ia sqarojmë opinionit se ndonjëherë sistemi gjyqësor ndoshta nuk mer vendimet e duhura për të ndjekur kryerësit e veprave penale.
-Fillojmë me vrasjen e Nikolla Sazdovskit.
Në Autokomandë të Shkupit, më datën 29 qershor 2018, rastësisht kishin kaluar tre të rinjtë Besir Bela, Skender Demiri e Jeton Luzha. Dy të parët ndalojnë për të sqaruar disa hesape me Nikolla Sazdovskin, pasi më parë ishin fjalosur dhe ofenduar në rrjetet sociale, Sazdovski si komit, Bela e Demiri si shvercerë. Pas një përplasje verbale, kacafytja kalon në sulm fizik ndaj Sazdovskit, dhe pas shtyerjes, Sazdovski bie me kokë në një kuti të orës matëse të EVN-së, ku nga goditja humbë ndjenjat dhe dërgohet në spital. Nikolla Sazdovski nuk vdes në vendgjarje, ndaj dhe dy të rinjtë së pari akuzohen për dhunë. Nikolla Sazdovski vazhdon të qëndrojë në gjendje kritike në mjekim intenziv në KARIL të Shkupit, ndërsa PAS 20 DITËVE, respektivisht më datën 9 korrik, jep frymën e fundit.
Të gjithë komitët dhe maqedonasit u ngritën në këmbë duke kërkuar dënim maksimal për Belën, Demirin e Luzhën. Kështu, Prokuroria Publike rikualifikoi akuzën nga dhunë, në vrasje në mënyrë mizore për ët cilën parashihet së paku dhjetë vite burg.
Pas gati një viti gjykim, Besir Bela (20 vjeç) e Skender Demiri (21 vjeç), dënohen me nga 19 vite burg secili. Përpos dënimit me burg, që të dy, familjes së Sazdovskit duhet t’i paguajnë gjobë ose kompenzim prej nga 15 mijë euro për vuajtje dhe lëndime shpirtërore. Dënimi për veprën penale që akuzoheshin mund të shkonte deri në burgim të përjetshëm por përshkak se asnjëri nuk kishte ende 21 vjet kur kanë kryer veprën, dënimi u ndal në 19 vite burg.
-Kalojmë te Denis Tot.
Hendbollisti kroat i cili përfaqësonte klubin hendbollistik KH Butel, kishte dalë të argëtohet në klub nate natën e 7 prillit të këtij viti. Kacafytjes nuk ka informata nëse i kanë paraprirë mosmarrëveshje brenda klubit, ndërsa edhe DJ që performonte atë natë nuk ka parë diçka të pazakontë.
Pasi Denis Tot ka dalë nga klubi jashtë, Anxhelo Gjorgjievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski, kishin filluar ta godasin me shqelma në kokë dhe trup të riun kroat. Ai nga lëndimet e mara kishte humbur ndjenjat dhe me autoambulancë është dërguar në urgjencë. TË NESËRMEN, Denis Tot dha frymën e fundit dhe ndëroi jetë. Për dallim nga Nikolla Sazdovski, Denis Tot si duket është rrahur edhe më rëndë pasi ndëroi jetë për një ditë. Policia pati arrestuar të dyshuarit dhe tanimë ka filluar gjykimi për ta. Gjykata dhe prokuroria çuditërisht këtë vrasje e konsiderojnë si vrasje nga paragrafi 1 i nenit 123 e cila parasheh së paku pesë vite burg për secilin pjesmarës.
Por pse ata akuzohen me paragrafin 1 e jo me paragrafin 2 për vrasje mizore? Për këtë pyetëm edhe Prokurorinë Publike. Sipas asaj që thonë nga Prokuroria, nuk qenkan plotësuar kushtet për t’i përndjekur për vrasje mizore.
“Prokuroria Publike në të gjitha lëndët, madje edhe në këtë që përmendët ju, vepron dhe ngritë akuza vetëm në bazë të dëshmive të siguruara dhe fakteve të vërtetuara me ekspertiza përkatëse. Në rastin konkret, sipas të gjitha dëshmive të mbledhura deri në këtë moment dhe ekspertizave të kryera mjekësore, janë përmbushur rrethanat për veprën penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 nga Kodi Penal dhe për këtë vepër penale, prokurori përkatës ka ngritur procedurë kundër tre personave”, deklaruan nga Prokuroria Publike për Zhurnal.
Në pyetjen tonë nëse rasti në fjalë nuk i përmbushë kushtet për të ngritur procedurë për nenin 123 paragrafi 2, nga Prokuroria thonë se nuk i plotëson.
“Pikërisht ashtu, dhe kjo nuk është vlerësim subjektiv i prokurorit publik, por është vërtetuar me rezultatet nga ekspertizat”, shprehen për Zhurnal nga Prokuroria Publike.
Çfarë mendojnë ekspertët?
Agjencia e lajmeve Zhurnal kontaktoi me avokatin i cili përfaqësonte të dënuarit me burg në rastin me Sazdovskin, avokatin Asmir Alispahiç.
Avokati Alispahiç dyshon në veprimet e prokurorisë, duke theksuar se rastet e Sazdovskit dhe të Denis Tot, janë shumë të ngjashme ndërsa procedurat që janë ngritur dallojnë njëra prej tjetrës.
Ai shton se në të ardhmen, duhet të meren parasysh të gjitha rrethanat dhe të veprohet në mënyrë të drejtë kur ndodhin raste të tilla sikurse me Sazdovskin dhe me Denis Tot.
“Konsideroj se rasti është shumë i ngjashëm, ndoshta edhe i njejtë. Por ngelet pyetja se për cilat arsye, përskaj të gjitha atyre ngjashmërive dhe rrethanat e veprës penale më saktësisht te rasti me klientin tim, të sillet urdhër për ngritjen e procedurës për hetim për veprën më të rëndë të vrasjes, ajo është neni 123 paragrafi 2, në krahasim me të akuzuarit për vrasjen e të ndjerit, hendbollistit Denis Tot, u soll vendim për hetim për akuzë më të lehtë të këtij neni, paragrafi 1. Lihet përshtypje në opinion se me të vërtetë për raste të tilla duhet të barazohet veprimi në vendosjen e kualifikimeve juridike”, ka deklaruar mes tjerash për Zhurnal, avoakti Alispahiç.
Zhurnal kontaktoi edhe me avokatin e të akuzuarve në rastin me Denis Tot, Elenko Millanov. Ai u shpreh se nuk është i kënaqur që të akuzuarit ngarkohen me akuzën për vrasje, por se ka qenë thjeshtë “shkaktim i lëndimeve trupore”. Për këtë ai bazohet në ekspertizat e kryera nga ana e mjekëve të cilët trajtuan hendbollistin kroat.
“Kjo nuk mund të llogaritet vrasje, kjo është “shkaktim i lëndimeve trupore” e kualifikuar me vrasje. Kjo nuk guxon të trajtohet si vrasje. Ka ekspertiza nga mjekësia ligjore të cilat dëshmojnë se nuk ka vrasje”, potencoi për Zhurnal, avokati Elenko Millanov.
Çfarë thotë mjekësia ligjore dhe ekspertiza?
Mjeku Aleksandar Stankov i cili kreu ekspertizën mjekësore, thotë se lëndimet të cilat i ka marë i ndjeri Tot, janë klasifikuar si lëndim i rëndë trupor me rrezik jete dhe ato lidhen me pasojat e vdekjes.
“Si arsye e vdekjes, është shënuar se vdekja është shkaktuar përshkak goditjes në tru dhe të palcës kurrizore, mirëpo lëndimi kritik për shkaktimin e vdekjes, në bazë të fotografisë së përgjithshme klinike te i ndjeri, është lëndimi i pjesë fillestare nga palca kurrizore”, sqaroi ai.
Mjekja tjetër, Renata Jankova, tha se disa lëndime mund të kualifikohen të izoluara, e më pas të flitet për veprimin e përgjithshëm të lëndimeve.
“Mirëpo, nëse i shqyrtojmë veçmas, përshembull një nga lëndimet, ta marim lëndimin që ka sjellë deri te thyerja jokonkrete të eshtrave të hundës, mund të jetë lëndim trupor, mirëpo nëse ai lëndim ka shkaktuar goditje në tru në formë të rëndë, aëtherë është lëndim i rëndë trupor”, tha ajo.
Sipas asaj, i gjithë lëndimi kualifikohet si lëndim i rëndë me rrezik konkret për jetë. Ajo nuk mund të precizojë saktësisht cila goditja i ka shkaktuar atij goditje në tru.
Analiza dhe krahasimi i këtyre dy ngjarjeve kishte për qëllim të hulumtojë nëse prokuroria publike vepron në mënyrë selektive në raste të ngjashme apo të njejta. Ashtu siç cekëm edhe më herët, Denis Tot ndëroi jetë për një ditë, ndërsa Sazdovski pas 20 ditëve. Të akuzuarit për vrasjen e Sazdovskit u dënuan me nga 19 vite burg, për veprën penale neni 123 paragrafi 2 e cila parasheh së paku 10 vite burg, ndërsa të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit Tot po ngarkohen me veprën penale neni 123 paragrafi 1 , e cila parasheh dënim me burg prej së paku pesë viteve. Duke patur parasysh ekspertizat e mjekësisë ligjore, gjykimi dhe akuza mund të rikualifikohet në lëndime trupore me pasojë vdekje dhe kështu të akuzuarit të shpëtojnë edhe më lehtë. Babai i Denis Tot, Igor Tot, nga Kroacia pret drejtësi për vdekjen e djalit të tij dhe thotë se që nga ajo ditë, jeta e tyre ka marë fund./Zhurnal.mk




