Policia e Kosovës ka arrestuar sot tre persona të dyshuar lidhur me vrasjen e trefishtë, më 26 nëntor, në Gllogjan të Deçanit në një sulm të armatosur ndaj autobusit që po transportonte nxënës.
Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj në një konferencë të jashtëzakonshme ka njoftuar se lidhur me këtë vrasje të trefishtë janë bërë arrestimet e para.
Të arrestuarit janë një prind dhe dy djemtë e tij.
Deri më tani institucionet e hetuesisë nuk kishin dhënë detaje në lidhje me rastin, ndërsa presioni publik ka qenë i lartë për të zbardhur autorët dhe motivet e krimit të rëndë.
Qeveria e Kosovës kishte ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Rreth dy javë më parë një vrasje e trefishtë që kishte ndodhur në Gllogjan ka tronditur opinionin.
Autobusi i nxënësve derisa ishte në lëvizje ishte qëlluar me armë automatike ku shoferi dhe dy nxënës ishin vrarë derisa kishte edhe të plagosur.