Agjencia Zhurnal.mk.

Asambleja Parlamentare e KE-së: Maqedonia e Veriut të mbetet e përkushtuar ndaj qëllimeve evropiane

Bruksel, 8 shkurt – Bashkëraportuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës – APKE për dialogun post-monitorues me Maqedoninë e Veriut në raportin e tyre të publikuar këto ditë në Strasburg, vlerësojnë se premtimi i mospërmbushur i BE-së për hapje të negociatave inkuadruese me vendin “e ka nxitur destabilitetin politik në shtet, paqartësi dhe zhgënjim”. megjithatë, ata i inkurajojnë autoritetet, opozitën dhe shoqërinë qytetare të mbeten të përkushtuar ndaj qëllimeve të tyre evropiane dhe të vazhdojnë të punojnë me Këshillin e Evropës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.

Në vërejtjen e reviduar informuese të publikuar si pjesë e dialogut post-monitorues të Asamblesë me Maqedoninë e Veriut, Liz Kristofersen (Norvegji, SPC) dhe Zolt Çenger-Zalan (Hungari, ENP/CD) thanë se ende ekziston “konsensus i fuqishëm” në vend i cili është në dobi të procesit të integrimit evropian.

Edhe krahas disa ngjarjeve traumatike në vitin 2021, Maqedonia e Veriut tregoi qëndrueshmëri, marrëdhëniet ndëretnike mbetën stabile, ndërsa paraqitja e partive të reja politike tregon skenë të gjallë politike, thanë bashkëraportuesit, duke i vlerësuar me atë rast ngjarjet e fundit.

Vendi bëri “shumë përpjekje për t’i përmirësuar standardet e veta” në vitet e fundit, por ky përparim “duhet të konsolidohet dhe ligjet tërësisht të zbatohen”, thonë ata. “Gjasat për integrim në BE mund të jenë faktor i fuqishëm për nxitjen të bëhen reforma, të përmirësohen normat dhe në fund të përmirësohen kushtet për jetë”.

Në vitet e fundit, Maqedonia e Veriut filloi proces të normalizimit, edhe në nivel nacional edhe në atë ndërkombëtar. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) paraprakisht e lavdëroi aftësinë e partive politike, edhe krahas polarizimit sipas linjave politike dhe etnike, të arrijnë marrëveshje (marrëveshjet e Përzhinës prej vitit 2015 dhe 2016), të dakordohen për shtyrje të zgjedhjeve në kohë të pandemisë (viti 2020) dhe të kthehet besimi i caktuar në proceset zgjedhore (edhe krahas problemeve afatgjata të cilat duhet të zgjidhen para zgjedhjeve të ardhshme).Zgjedhjet në korrik 2020 rezultuan me shumicë të brishtë qeveritare – me fraksione politike në parlament, të detyruara për bashkëpunim, posaçërisht për çështjet për të cilat nevojitet votim me shumicë të kualifikuar. Në nivel ndërkombëtar, seria e marrëveshjeve të nënshkruara me Bullgarinë (2017), Greqinë (2018) dhe vendet fqinje Serbinë dhe Shqipërinë (për promovim të nismës ‘Ballkan i Hapur’) gjithashtu krijuan mundësi të reja, konsideron APKE.

Vendi përjetoi disa ngjarje traumatike gjatë vitit 2021, mes të cilave pandemia me Kovid-19, zjarret pyjore në verën e vitit 2021, zjarri vdekjeprurës në spitalin modular në Tetovë në shtator (që mori 14 jetë të pacientëve), apo fatkeqësia tragjike në autostradën Struma në nëntor, në të cilën jetën e humbën 46 qytetarë, mes të cilëve edhe fëmijë. Megjithatë, vendi tregoi qëndrueshmëri, ndërsa marrëdhëniet ndëretnike mbetën stabile. Paraqitja e partive të reja politike, si E Majta apo Lëvizjet e Gjelbra, gjithashtu tregon se ka skenë energjike politike dhe qytetarë të gatshëm të merren me politikë, vazhdon APKE.

Në vitet e fundit, vendi bëri shumë përpjekje për t’i përmirësuar standardet e veta. Ky përparim duhet të konsolidohet dhe ligjet të implementohen tërësisht. Ende ekziston konsensus i fuqishëm mes partive politike në Maqedoni të Veriut për procesin e integrimit evropian bazuar në vlerat evropiane. Edhe krahas sinjalit pozitiv të marrë nga BE-ja në vitin 2020, është zhgënjyese që BE-ja deri më tani nuk i përmbushi premtimet dhe ende nuk arriti t’i fillojë negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut, thuhet në raportin e komisionit monitorues të APKE-së.

“Ne gjithashtu vërejmë me shqetësim se mospërmbushja e premtimit të BE-së nxiti destabilizim politik, pasiguri dhe zhgënjim në vend. Nga ana tjetër, perspektiva për integrim në BE mund të jetë nxitje e fuqishme për ndërmarrje të reformave, për përmirësim të standardeve të vendit, të cilat duhet të bazohen në standardet Këshillit të Evropës dhe përfundimisht për përmirësim të kushteve për jetë të popullatës”, konstatojnë raportuesit.

“Prandaj, ne i inkurajojmë autoritetet e Maqedonisë së Veriut, si dhe opozitën dhe shoqërinë qytetare, të mbeten të përkushtuar në qëllimet e tyre (pan)evropiane dhe të vazhdojnë të punojnë në bashkëpunimin me Këshillin e Evropës.

Në fund raportuesit shpresojnë se së shpejti do të mund ta vizitojnë Maqedoninë e Veriut dhe t’i vlerësojnë reformat dhe përparimin e arritur nga vendi në suaza të dialogut post-monitorues me APKE-në.

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky