Shkup, 3 qershor – Austria u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të ashtuquajturin “non pejper” nga fundi i majit, në të cilin angazhohet për qasje të re ndaj shteteve nga Ballkani Perëndimor, me çka do të mundësohej “integrimi gradual në BE”.
Siç lajmëroi Radio Evropa e Lirë, e cila ka pasur qasje në këtë dokument, në të ceket se Austria konsideron se kriza që u krijua për shkak të invazionit rus ndaj Ukrainës mund të shkaktojë dëm kolateral ndaj stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e asaj, Austria konsideron se me atë konflikti mund të zhvendoset në kufijtë e BE-së, e madje edhe në të.
“Duhet të mendojmë përmes instrumenteve tashmë ekzistuese për zgjerim dhe fqinjësi ta shfrytëzojmë potencialin e pashfrytëzuar. Në rrugën drejt anëtarësimit të barabartë, duhet të krijojmë mundësi që këto vende të integrohen gradualisht”, thuhet në dokument.
Në të ceket se zbatimi i plotë i metodologjisë paraqet një aspekt, por, ky instrument nuk jep përgjigje të kënaqshme dhe të domosdoshme ndaj situatës së tanishme.
“Procedurat e tanishme për zgjerim në vitet e fundit nuk dhanë rezultate të rëndësishme. Ato para së gjithash u reduktuan deri në frustrim dhe tjetërsim të ndërsjelltë në rajon dhe BE. Duhet ta zhvendosim qorr-sokakun e tanishëm, duke i parë të gjitha opsionet me mendje të hapur”, nënvizohet në dokumentin austriak.
Në të shtohet se Austria propozon që hapi i parë të jetë partnerët nga Ballkani Perëndimor të thirren rregullisht në takimet joformale të Këshillit të BE-së në të cilat diskutohet për interesat e përbashkëta, Në vazhdim është cekur se Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të mbahet çdo vit, dhe sa më shpejtë të jetë e mundur t’u miratohet statusi i vëzhguesit për vendet nga rajoni dhe institucionet e tjera të BE-së.
Austria në dokument propozon edhe që vendeve nga Ballkani Perëndimor t’u ofrohet integrim progresiv në tregun e përbashkët, inkluzion në politikat tregtare dhe tatimor, si dhe pjesëmarrje në agjencitë e BE-së dhe politikën e përbashkët klimatike dhe energjetike.