Shkup, 17 maj – Ministri i shoqërisë informative dhe administratës, Azir Aliu tha se nuk është kjo administrata që i duhet vendit. Ai tha se numri i administratorëve në vend është 129 374.
“Me atë që janë në total të punësuar 1 354 institucione. 60% janë institucione në nivel lokal dhe 40 në nivel shtetëror. Po ta merrni si total thjesht numri i institucioneve është shumë i madh, pikërisht dalim në atë që e thamë më herët. Ka institucione që nuk e dinë se përse ekzistojnë dhe çfarë shërbime japin, pasi që ai gjysmë shërbim mund të tejkalohet në institucion tjetër” tha për emisionin “Intervistë në Shenja” Aziri.
Aziri tha se janë duke punuar në një ligj për zvogëlimin e numrit të institucioneve në nivel qendror dhe do të tentojmë që të mos jetë më shumë se 111 institucione.
Ministri tha se administrata është e çorientuar në aspekt të organizimit të brendshëm.
“Ju keni institucione që s’kanë person në aspekt të kapaciteteve njerëzore janë të pakta, ndërsa keni të tjera që kanë shumë. Pra me optimizmin, ky është edhe një prej Ligjeve në të cilin punojmë, dhe që është në përputhje me kërkesat e BE-së, që të bëhet optimizmi dhe riorganizimi i administratës shtetërore. Me optimizim nënkuptojmë që secili njeri të ketë një përshkrim të punës, cilat janë përgjegjësitë dhe punët që duhet të kryejnë dhe e dyta është optimizmi i numrit të institucioneve. Ju sot keni institucione dy institucione që e bëjnë punën e njëjtë”, deklaroi Ali.
Ai tha se ka institucione që i bëjnë rezistencë procesit të digjitalizimit.