Athinë, 12 prill – Ndryshimet e çmimeve të bursës të energjisë elektrike nga 400 euro në 1,60 euro për megavat orë do të jetë një nga temat boshte të diskutimit sot dhe nesër të rregullatorëve nga Komuniteti energjetik në Athinë, ku me Bordin e rregullatorëve do të drejtojë Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator Energjetik dhe kryetar i Bordit të rregullatorëve, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë.
Në prag të takimit, Bislimoski ka thënë se me që po afrohet fundi i sezonit të ngrohjes për qytetarët, për rregullatorët ekziston vetëm fillimi i sezonit të ri të ngrohjes dhe për këtë arsye “do të diskutojmë që në mënyrë strategjike të pozicionohemi për skenarët e mundshëm që na presin në prag të dimrit të ardhshëm”.
“Kriza energjetike dëshmoi se përgjigja më e mirë është përgjigje e koordinuar e Evropës dhe rritja maksimale e pavarësisë energjetike të çdo vendi. Jemi dëshmitarë se po riaktivzohen termocentralet, por agjenda për energji të gjelbër duhet të vazhdojë dhe reformat dhe investimet duhet të kenë vazhdimësi dhe realizim 100 për qind. Do të pozicionohemi në mënyrë strategjike pa mëdyshje, sepse furnizimi i besueshëm, stabil dhe i pandërprerë i energjisë elektrike dhe ngrohjes është prioritet për të gjithë rregullatorët nga Komuniteti energjetik”, tha Bislimoski i cili është në mandatin e tij të dytë dhe udhëheq si kryetar i Bordit të Rregullatorëve të Komunitetit energjetik.
Në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Komisionit Rregullator Energjetik (KRrE) u zgjodh unanimisht kryetar i Bordit të rregullatorëve të Komunitetit energjetik në mbledhjen e atëhershme të rregullt, ndërsa në nëntor të vitit 2021 mori mandatin e dytë dyvjeçar.
Takimet e komunitetit energjetik tradicionalisht mbahen në Athinë, ku përveç Maqedonisë së Veriut, vende anëtare janë edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina dhe Shqipëria.
Takimi i mëparshëm në Athinë u zhvillua në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.