Tetovë, 29 shkurt – Zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev nga Tetova paralajmëroi se sonte ose nesër në mëngjes do të arrijnë 85 mijë formularë të rinj për pasaporta. Sipas Bojamacalievit, sistemi për lëshimin e pasaportave po funksionon normalisht.
“Siç është njoftuar opinioni vendas, kanë arritur 50 mijë, pastaj 20 mijë formularë, para një jave kanë arrit saktësisht 140 mijë formularë dhe sonte vonë ose nesër në mëngjes do të arrijnë 85 mijë formularë. Po e rrumbullakojmë atë shifër prej 300 mijë formularësh, që mjafton që sistemi të funksionojë normalisht. Këto janë numrat, këto janë faktet. Formularët arrijnë, qytetarët shërbehen këtu në Tetovë dhe në Shkup, gjithçka funksionon si duhet, nuk ka as sabotim e as kaos. Ka pasur vetëm propagandë të rrejshme dhe grumbullim të pikëve politike se do të shfuqizohet marrëveshja e Prespës e cila vë qytetarët në huti”, deklaroi Bojmacaliev.

Ai tha se nuk do të mund të udhëtohet me pasaporta të vjetra sepse qytetarët nuk do të lejohen të largohen nga vendi.
“Me pasaportat e vjetra nuk mund askund të udhëtohet sepse nuk do të realizoni dalje nga vendi. Pasi ata nuk janë më në funksion me ligjin që është në fuqi, e kam fjalën për emrin e vjetër. Ndërsa me të rejat mund të udhëtohet kudo. Askush nuk ka premtuar se do të votohet ligji për shtyrjen e afatit, prandaj nuk do të krijohet kaos dhe konfuzion sepse qytetarët e dinë se para korrikut 2021 tashmë janë lëshuar dokumentet e udhëtimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është thënë qartë se ata do të jetë e vlefshme deri në shkurt të vitit 2024”, theksoi zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë tani të kthejë paratë e dhëna për letërnjoftimet dhe patentë shoferët për shkak se janë shpallur zgjedhjet. Kjo, nënvizoi ai, do të jetë e mundur kur të ketë Qeveri të re.

Zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacaliev së bashku me drejtorin e Byrosë për siguri publike Sasho Tasevski kanë qenë për vizitë pune në SPB Tetovë.




