Agjencia Zhurnal.mk.

Bujqësia në krizë, prezantohet model i ri subvencionimit, a do të jetë kriter etnia në shfrytëzimin e subvencioneve?

Shkup, 4 janar – Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Por, për pjesën shqiptare nuk është vetëm kjo arsyeja e vetme, shumë prej bujqve shqiptarë ndjehen të diskriminuar edhe në subvencionet apo ndihmën që e marrin nga shteti. Nga ana tjetër, bujqësia ishte një nga sektorët që u goditi më së shumti nga kriza ekonomike botërore e paraprirë nga kriza e pandemisë dhe e vazhduar nga invazioni rus në Ukrainë. Bota u përball me sfidën se si të sigurojë ushqim të mjaftueshëm. Ministri i Bujqësisë ka prezantuar një model të ri të subvencionimit sipas të cilit do të ndihmohen fermerët, por ajo që ngjallë dilema është fakti se në shfrytëzimin e subvencioneve cilat kritere do të merren parasysh, a do të jetë kriter edhe etnia e fermerëve?, shkruan Zhurnal.

Sektori i bujqësisë është përballur rëndë me krizën ekonomike-

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.

Nga 1 dhjetori hyri në fuqi mbështetja për kompanitë nga industria ushqimore. Ata marrin energjinë elektrike me subvencionim, çmim fiks prej 80 euro për megavat orë për shkak se duhet të nxisë ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë me rreth 10 për qind. Që sipas autoriteteve zyrtare kjo masë do të zbusë çmimet, praktika e thotë të kundërtën masi çmimet e bukës mbesin po të njëjta, ngjashëm edhe me produktet tjera bazë nuk është se ka pas ndonjë ndryshim që reflekton në xhepat e qytetarëve.

Modeli i ri i subvencionimit të fermerëve-

Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Ljupço Nikollovski, në kohën e krizës më të madhe globale, prioritet është rritja e prodhimit vendor të ushqimit dhe mbështetje të fortë, në kohë dhe efikase për fermerët. Ky i fundit, shpalli modelin e ri të subvencionimit që siç thekson ai, në fokus i vë fermerët e vërtetë. Modeli i ri i subvencionimit është një nga pesë shtyllat kyçe të bujqësisë maqedonase në vitin 2023.

“Pas 15 vitesh, modelin e vjetër po e zëvendësojmë me të ri që do të thotë prodhim i planifikuar dhe i qëndrueshëm – me shpenzime më të vogla të prodhojmë më shumë. Me modelin e ri të subvencionimit asnjë fermeri nuk do t’i shkurtohet mbështetja. Fondet i drejtojmë për ata fermerë që do të kultivojnë kultura të rëndësishme strategjike, të cilët do të bëjë fitim dhe do ta dorëzojë atë në objektet vendore. Të gjithë fermerët e regjistruar, aktiviteti kryesor i të cilëve është bujqësia, përmes Thirrjes së hapur publike, gjatë gjithë vitit do të mund të aplikojnë me planin dhe idenë e tyre të biznesit për një grant prej 10,000 eurosh të cilin do ta shfrytëzojnë për investime në prodhim apo për një produkt final. Modeli i ri i detyron fermerët të paraqesin dëshmi se kanë arritur dhe kanë ofruar prodhim, që nuk ishte rast deri tani”, tha Nikollovski.

Me buxhetin e ri shtetëror për vitin 2023, bujqësia merr rreth 12 miliardë denarë. Qëllimi i këtij “buxheti historikisht më i madh bujqësor për vitin 2023”, siç e quajti ministri Nikolovski, është siguria ushqimore dhe rritja e prodhimit.

A do të diskriminohet shqiptarët në shfrytëzimin e subvencioneve?

Subvencionet bujqësore janë ndihmë shtetërore për bujqit që aplikohen kudo në botë, ngjashëm edhe në vendin tonë. Por për dallim prej shteteve tjera ku duhet plotësuar kritere të natyrave bujqësore për shfrytëzimin e këtyre ndihmave, në vendin tonë ka pasur situata që bujqit kanë paraqitur pakënaqësi se po diskriminohen në baza etnike.

Një gjë e tillë vërtetohet nga fakti që muaj më parë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, në Qeverinë e Kovaçevskit, ka nënshkruar mbi 900 kontrata për shfrytëzimin e tokës bujqësore deri më 3 hektarë për bujk. Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë gjithsej janë ndarë mbi 4000 hektarë tokë bujqësore, por ajo që bie në sy është se tokat e shtetit ndahen vetëm në qytetet etnikisht të pastra maqedonas, kurse siç kuptohet shpalljet për toka bujqësore në qytetet e banuara me shqiptarë janë shfuqizuar dhe nuk do të nënshkruhen.

A bëhet fjalë për diskriminim në baza etnike, mund të konstatohet lehtë nëse kemi parasysh se tokat e ndara sipas njoftimit të Ministrisë së bujqësisë kanë qenë këto qytete: Manastir, Makedonski Brod, Vinicë, Dellçevë, Vinicë, Kriva Pallankë, Kavadarci, Negotinë, Veles, Rosoman, Gjevgjeli, Prilep, Berovë dhe Shtip.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka 1 milion e 265 mijë hektarë tokë bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, 517 mijë hektarë u shfrytëzuan si tokë e punueshme për kultivimin e produkteve bujqësore, përderisa pjesa tjetër u shfrytëzua për kullota.

Tri dekada më parë kanë qenë 660 mijë hektarë tokë e punueshme bujqësore, që i bie se kanë qenë 150 mijë hektarë më shumë sesa tani. Maqedonia e Veriut brenda vitit ka nevojë për 200 mijë tonë grurë, ndërkohë që këtë vit pritet të prodhohen rreth 50 tonë më pak nga kjo vlerë, dhe pjesa tjetër e kërkesës duhet të importohet.

Të dhënat e Entit shtetërorë të Statistikave thonë se Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 700 milionë eurosh, ndërkohë që ka eksportuar diçka më pak se 400 milionë euro.

Bujqit thonë se shteti duhet të mendojë seriozisht rreth subvencioneve dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për blerje e prodhimeve vendore, për të mbajtur gjallë sektorin e bujqësisë, i cili është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky