Shkup, 3 dhjetor – Programi Stpendium Hungarikum (Stpendium Hungaricum) për vitin akademik 2022/2023 shpërndan 20 bursa për kandidatët nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Sipas thirrjes së publikuar në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shtatë bursa janë për studime të plota universitare (BA/BSc) në fushat: bujqësi, inxhinieri, teknologji, shkenca shëndetësore dhe kujdes shëndetësor, ekonomi, arte liberale dhe shkenca natyrore dhe shtatë bursa për master të plotë (MA/MSc), edhe në fushat e mësipërme.
Katër bursa do të jepen për studime të plota për doktoraturë (PhD/DLA) në çdo fushë; dy bursa për studime master të integruara (one-tier-master – OTM) në fushat: bujqësi, shkenca shëndetësore dhe kujdes shëndetësor, si dhe studime të pjesshme për të gjitha nivelet dhe fushat e studimeve të përmendura.
Nëse studimet zhvillohen në një gjuhë të huaj, kandidatët duhet ta njohin atë gjuhë në nivelin e kërkuar nga institucioni nikoqir (universitetit). Nëse ata mësohen në hungarisht, studentët e pranuar gjatë vitit të parë të studimit duhet të ndjekin një kurs të gjuhës hungareze të ofruar nga universiteti ku do të studiojnë dhe duhet të kalojnë provimin në fund të semestrit të dytë.
Sistemi onlajn për dorëzimin e dokumenteve të nevojshme do të jetë i hapur deri më 15 janar të vitit 2022, deri në orën 23:59.
Më shumë informacion mbi metodën, kriteret dhe dokumentet e kërkuara për aplikim, si dhe listën e programeve të studimit të universiteteve, fakultetet dhe kolexheve shtetërore hungareze dhe tekstin e plotë të thirrjes (Call for application 2022-2023) mund të gjeni në: https : // stipendiumhungaricum .hu/
Thirrja e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmban më shumë informacion rreth aplikimit dhe ka adresë kontakti të qasshme.




