Kapiteni i Barcelonës, Sergi Busquets, pranon se ata janë më të dobët përballë Real Madridit në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, por beson se ekipi i tij mund t’i mposht rivalët në vetëm një ndeshje.
Dy skuadrat e mëdha spanjolle takohen sot (e mërkurë) mbrëma në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, në kuadër të gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës.
Busquets pranon vështirësinë e ndeshjes që është përpara për shkak të formës së mirë të Los Blancos, por këmbëngul se një ndeshje derbi është gjithmonë një lojë e barabartë.
“Dallimi në La Liga midis Barcelonës dhe Real Madridit është se si është, por është një ndeshje e vetme dhe gjithçka mbetet për të luajtur. Ata hyjnë në lojë me besim, por ne kemi një shans”, ka thënë fillimisht Busquets.
Që nga El Clasico e fundit mes dyshes, ku Real Madrid fitoi 2-1 në Camp Nou, Busquets mendon se Barcelona është përmirësuar.