Shkup, 29 korrik – Me kohë do të ofrohet energjia e ngrohjes për amvisëritë në Shkup, qytetarët nuk duhet të shqetësohen, porositi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Në konferencën e sotme për media në Qeveri, Bytyqi theksoi se ajo që është më e rëndësishme për momentin është që procedura për zgjedhjen e operatorit të ri ekonomik për energji për ngrohje të jetë transparente dhe të përfundojë me kohë.
“Sipas Ligjit për Energjetikë, BEG duhet t’i përmbushë detyrimet e tij derisa nuk emërohet operatori i ri ekonomik. Deri para dy mbledhjeve të Qeverisë ishte obliguar Sekretariati i Përgjithshëm të shpallë procedurë për operator të ri ekonomik. A do të jetë ajo EMV ose cilido operator tjetër nuk mund të paragjykojmë”, tha Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
I pyetur nëse Qeveria po përgatitet që financiarisht të ndihmojë në rast se EMV zgjidhet operator i ri, Bytyqi u përgjigj se së pari duhet të shihet cili do të jetë çmimi i ri i ngrohjes qendrore, ndërsa pastaj të shqyrtohet nëse janë të nevojshme intervenime financiare.
“Nëse EMV merr përsipër menaxhimin e energjisë për ngrohje në qytetin e Shkupit, si çdo kompani tjetër, do të duhet të ketë burime adekuate financiare. Unë mendoj se ata hyjnë në këtë në të njëjtën mënyrë si hyjnë në çdo investim tjetër”, tha Bytyqi.
Nga Qeveria paralajmërojnë edhe masa për mbështetje të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve të cilët nuk kanë alternativë tjetër për ngrohje, përveç ngrohjes qendrore.
“Ministria e Financave tashmë po punon për hartimin e masave të tilla për të mbështetur kategoritë më të rrezikuara. Masat duhet të jenë të drejtuara për familjet me të ardhura të ulëta”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.




