Shkup, 12 prill– Që sot me çmime të reja të korrigjuara më të larta do të shiten 11 llojet e frutave dhe perimeve për të cilat Qeveria pat marrë vendim për fiksimin e çmimeve.
Qeveria dje në seancë mori vendim me të cilin një kilogram domatesh dhe trangujsh do të kushtojë maksimum 95 denarë, një kilogram speca 100 denarë, një kilogram fasule 95 denarë. Qepa shtrenjtohet për dhjetë denarë për kilogram dhe do të jetë 70 denarë, ndërsa vetëm thjerrëzat do të kushtojnë mbi 100, gjegjësisht do të shiten nga 110 denarë për një kilogram. Një kilogram banane do të kushtojë 75 denarë, një kilogram portokaj deri në 60 denarë, një kilogram mandarina deri në 65 dhe një kilogram limonë deri në 60 denarë.
Arsyeja për të cilën është propozuar ka ndryshim i vendimit është për shkak se çmimi importues i disa llojeve të caktuara të frutave dhe perimeve është rritur.
“Ministria e Ekonomisë, si propozues i Vendimit, kumtoi se në bazë të konsultimeve të zbatuara me importuesit më të mëdhenj të frutave dhe perimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si edhe duke i pasur parasysh të dhënat më të reja të Drejtorisë doganore, është përcaktuar se çmimi importues i disa llojeve të frutave dhe perimeve është rritur, për shkak të festave”, kumtoi dje shërbimi për shtyp i Qeverisë.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë, situata do të monitorohet çdo ditë.
“Qytetarët të jenë të qetë, kontrollet do të vazhdojnë, situata do të monitorohet çdo ditë dhe nëse është e nevojshme do të ndërhyjmë sërish nëse vëmë re ulje të çmimeve të importit”, deklaroi Bekteshi pas seancës së djeshme të Qeverisë.
Bekteshi pret që vendimi që është marrë do të respektohet sepse, siç tha ai, javën e kaluar janë rritur çmimet e importit për mbi 30 për qind të produkteve të caktuara – domateve, trangujve, qepëve dhe fasuleve.
“Këto fatura, të cilat tashmë janë dorëzuar në Drejtorinë doganore, janë më logjike se ato të mëparshmet, por kjo nuk do të thotë që kontrollet dhe inspektimet përfundojnë këtu”, nënvizoi Bekteshi.
Kufizimi i çmimeve më të larta të frutave dhe perimeve në tregtinë me pakicë mbetet të vlejë deri në fund të këtij muaji.
Për liderin e VMRO-DPMNE-së nga ana tjetër, Hristian Mickoski, fiksimi i çmimeve si masë për luftën kundër inflacionit është antiteori, antipraktikë dhe masë antiekonomike.