Kombëtarja e Kosovës sot i fillon përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse, më 24 shtator do të luajnë si mysafirë kundër Irlandës së Veriut, derisa më 27 shtator, do të jenë mikpritës të Qipros, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në prag të këtyre dy ndeshjeve, grupi i tifozëve të kombëtares “Dardanët” ka dalë me një mesazh, nëpërmjet të cilit ka kërkuar që bashkë me rikthimin e ndeshjeve të kthehet edhe ndjenja e përgjegjësisë, vullnetit dhe angazhimit për ta nxjerrë më të mirën.
“Kërkojmë konsideratë për tifozët, të jenë më të afërt dhe të mos harrojnë që jemi ne tifozët ata që nuk i trajtojmë si numra e lecka, por i glorifikojmë, përkrahim dhe çmojmë për hir të asaj fanelle që veshin dhe vendit që përfaqësojnë. Dëshirojmë t’i shohim prapë djemtë me këmbë përtokë. Dëshirojmë t’i gëzohemi sërish fitores. Asnjë pretekst nuk ka vend. Duam me çdo kusht që ta përmbyllim këtë kapitull të Ligës së Kombeve me fitore. Ne si “Dardanë” për herë të fundit ishim të pranishëm në Greqi. Sërish do të jemi afër Kombëtares, si në Irlandë Veriore, ashtu edhe në ndeshjen e fundit në “Fadil Vokrri” kundër Qipros. Duam lojtarë të motivuar. Kërkojmë vetëm fitore”, kanë shkruar Dardanët në faqen e tyre zyrtare në Facebook.