Çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe perspektiva evropiane e rajonit ishte temë e bisedimit ndërmjet të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Në një postim në Twitter, Lajçak ka falënderuar ministrin Dendias për interesimin e Greqisë për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e përpjekjeve për perspektivën evropiane të rajonit.
Edhe ministri grek në një postim në Twitter thekson se gjatë një takimi të mbajtur me të dërguarin e BE-së kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe perspektivën e Ballkani Perëndimor.
Ndryshe, Kosova të hënën ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Shumë shtete kanë ndihmuar Kosovën që të ecet para drejt anëtarësimit që pritet të bëhet gjatë këtij viti.
Për herë të parë mund të thuhet se ka shtete që nuk e kanë njohur Kosovën por nuk e kanë bllokuar atë.
Greqia dhe Sllovakia, anëtarë të BE-së e NATO-s kanë abstenuar dhe kjo është një risi në këtë drejtim dhe për këtë kanë shprehur habinë edhe në Serbi.