“Miroslav Lajçak po largohet, kërkimi për një pasardhës është në vazhdim. Largimi nuk është befasues. Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve të fqinjëve, të cilat vazhdojnë që nga viti 2011, kanë ngecur. Asgjë nuk lëviz. Dhe nëse po, është në drejtimin e gabuar, teksa fajësimi i diplomatit sllovak për dështimin, tani bëhet më lirisht”.
Kështu e përshkruan kontekstin aktual politik mes Kosovës dhe Serbisë gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” , sipas të cilës, arsyeja e vërtetë e bllokimit është se as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë të gatshëm të zbatojnë marrëveshjen që BE-ja ua prezantoi në shkurt 2023. Në thelb, marrëveshja përmban dy pika: Serbia nuk e njeh zyrtarisht Kosovën, por sillet në përputhje me rrethanat, dhe mbi të gjitha nuk i pengon bashkimin me organizmat ndërkombëtarë.
Pra, në thelb, bëhet fjalë për një njohje de facto. Prishtinës nga ana tjetër i duhet të lejojë krijimin e një bashkësie të komunitetit serb. Por palët sipas gazetës, duket nuk janë të gatshme vërtet për këto lëshime. Vuçiç e bëri të qartë se vendi i tij do të vazhdojë të kundërshtojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Dhe homologu i tij kosovar, kryeministri Albin Kurti, nuk po ngre gishtin për të zbatuar autonominë e rënë dakord prej kohësh të serbëve të Kosovës, nënvizohet në shkrim.
Pretendimi i gazetës zvicerane është se Vuçiç po kërkon të fitojë kohë, pasi shpreson që Donald Trump të bëhet sërish president amerikan në vjeshtë. Me të në Shtëpinë e Bardhë, kartat për çështjen e Kosovës mund të riorganizohen sërish. Ishin të dërguarit e Trumpit ata që mbështetën një shkëmbim tokash midis Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2018, por projekti asokohe dështoi kryesisht për shkak të rezistencës nga Berlini, i cili nuk donte të pranonte asnjë ndryshim të ri kufijsh. Me Trump, Vucici mendon se një përpjekje e re do të jetë e mundur.