Shkup, 27 prill – Diskriminimi ndaj shqiptarëve është aplikuar ndër vite, këto dëshmohen edhe me fakte historike kur popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut i është mohuar dikur edhe e drejta për arsim shqip. Të jesh shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe të jesh shqiptarë kudo tjetër në botë ka dallim të madh. Edhe tani kur shqiptarët po udhëheqin me shumë pozita të larta e janë bartës të institucioneve kryesore në vend, sërish diskriminimi mbetet damka reale e gjendjes së shqiptarëve në këtë që trajtohen nga pala tjetër. Por, qëndrueshmëria shqiptare i ka ballë dhe ka vazhduar me rezistencë dhe ngritje në të njëjtën kohë. Se ka diskriminim të shqiptarëve edhe në vitin 2023 e ka dëshmuar hulumtimi i fundit i Institutit për Politika Publike “Arbën Xhaferi” në Shkup, të cilët kanë analizuar statistikat e vitit 2022 për çerdhet dhe qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, duke nxjerrë një sërë konstatimesh dhe rekomandimesh rreth diskriminimit të fëmijëve shqiptarë. Dëshmitë shkencore tregojnë se investimi në edukim parashkollor sjell përfitime afatgjata si për fëmijët ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. E shqiptarët diskriminohen qysh nga çerdhet e deri në Univeristet e pastaj edhe në punësime. Që shumë maqedonas edhe deklarohen shqiptarë vetëm për të zë edhe ato pak vende pune të rezervuara për shqiptarët, shkruan Zhurnal.
Hulumtim: fëmijët shqiptarë katërfish më pak shance të gjejnë vend në çerdhe –
“Në Maqedoninë e Veriut, përfshirja në edukim parashkollor ngelet e mangët dhe larg standardeve të BE-së, me vetëm 45% e fëmijëve të moshës 3-6 vjeç që vijojnë edukimin parashkollor.Veç kësaj, qasja në edukim parashkollor është thellësisht jobarazitare, veçanërisht në rrafshin social dhe atë komunitar”.
Nga instituti thonë se në nivel vendi, janë gjithsej 113 institucione për edukim parashkollor, me gjithshej 35.932 vende në dispozicion, shumicën absolute prej tyre 95,95% në sektorin publik, gjë që konfirmon rolin jetik të shtetit në këtë fushë.
“Strukutra gjuhësore e fëmijëve që vijojnë edukimin parashkollor, sipas gjuhës në të cilën zhvillohet veprimtaria është si vijon: Maqedonisht: 31.420 fëmijë, Shqip: 3.369 fëmijë,Turqisht: 165, Boshnjakisht: 8, Anglisht: 162, Veprimtari shumëgjuhësore: 808”.
Sipas institutit nga këtu del se fëmijët shqiptarë janë skajshmërish të diskriminuar sa i përket qasjes në edukim parashkollor krahasuar me ata maqedonas. Ndërsa maqedonasit janë 57.86% e popullsisë së përgjithshme, vendet në institucione parashkollore në gjuhën maqedonase përbëjnë 87.44% të totalit, shqiptarët që janë 31,51% e popullsisë së përgjithshme, disponojnë me vetëm 9.38% të vendeve në institucione parashkollore në gjuhën e tyre.
Për të arritur nivelin e vendeve në dispozicion në gjuhën maqedonase, në përputhje me strukturën kombëtare të popullsisë së vendit, duhet të krijohen hiç më pak se 13.742 vende të reja në gjuhën shqipe, apo një rritje prej 407% krahasuar me gjendjen aktuale, thonë nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi.
Shqiptarët në RMV nuk diskriminohen vetëm në shkolla e çerdhe, por edhe në investime ekonomike, në punësime, e në Kushtetutë madje ofendohen me 20% –
Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat për vendet aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti për tremujorin e katërt të vitit 2022.Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i ka analizuar këto të dhëna nga pikëpamja rajonale dhe ka rezultuar se zonat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin me numrin më të ulët të punësimeve në nivel shteti.
Vazhdon keqpërdorimi i balancuesit për punësim, i cili ka për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve në institucionet e shtetit. Rasti i fundit që është denoncuar në televizionin Alsat, është punësimi në Agjencinë për mbështetje financiare në Bujqësi dhe zhvillim rural. Në fund të vitit 2022, Agjencia ka hapur në konkurs për punësim me numër rendor 739/2022, ku përveç kritereve tjera të cilët është dashur t’i plotësojnë kandidatët, potencohet qartë vendi i lirë është për qytetar të përkatësisë etnike SHQIPTAR.
Në vendimin e marrë nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural të vulosur më 7 shkurt të këtij viti, qëndron emri i një qytetare maqedonase e cila është shpallur si fituese e konkursit dhe është punësuar në pozitën e bashkëpunëtorit më të ri për mbështetje dhe kontroll të dokumenteve.
Raste të tilla ka shumë, prandaj shqiptarët vazhdojnë ende të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, që më shpesh shpërfillen se sa përfillen. Dhe, kjo është dëshmi që shqiptarët ndjehen të diskriminuar në gjitha instancat dhe në gjitha mënyrat e mundshme, dhe kjo pastaj shkakton dëshpërim e zhgënjim dhe përkthehet me largim prej vendi.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut. Një përkufizim që është ofendues sepse gjuha e popullit shtetformues definohet me përqindje, kjo është e pakuptimtë dhe prandaj është nevoja dhe momenti tani të ndryshohet.
Kujtojmë që, për nxënësit shqiptarë në Veles dhe në Idrizovë edhe këtë vit mbetet dëshira, nevoja dhe kërkesa e njëjtë, një shkollë ku do të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Por, kjo kërkesë po has në vesh të shurdhër dhe këta nxënës po trajtohen si nxënës të dorës së dytë për të cilët nuk vlejnë ligjet e njëjta të këtij shteti, që garantojnë për secilin qytetarë shkollimin në gjuhën amtare.
Megjithatë, siduket është futur në praktikë trinomi varfëro, mos punëso, dëbo, dhe përmes kësaj pa luftë e në paqe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lëshojnë vendin e tyre, në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe me perspektivë. Shqiptarët sado që krekosen për afirmimin e të drejtave, dhe udhëheqjen e institucioneve me peshë në vend, sërish kur zbritet në terren dhe shihet gjendja e qytetarëve shqiptarë dëshmohet e kundërta. /Zhurnal.mk