Shkup, 13 shkurt – Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shembulli më i zakonshëm i shkeljeve të të drejtave të njeriut. Në nivel global, por dhe në vendin tonë, të dhënat janë dëshpëruese – çdo e treta grua është viktimë e ndonjë lloj dhune me bazë gjinore.
Përmes forumit teatral të shfaqjes emotive “E dënuara”, që u mbajt në Manastir dhe në Shkup, u shfaq realiteti i vrazhdë me të cilin përballen gratë dhe vajzat viktima të dhunës. Kjo iniciativë u zbatua nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”. Duke e përdorur skenën për të inkurajuar bisedën kritike midis të pranishmëve në publikun, ngjarja e tërhoqi veçanërisht vëmendjen e të rinjve.
Shfaqja “E dënuara” zhvillohet në dy akte dhe paraqet situata që e pasqyrojnë përditshmërinë e shumë grave dhe vajzave në shoqërinë tonë. Në aktin e parë paraqitet ngjarja e një vajze të re, e cila është viktimë e dhunës dhe kërcënimeve kibernetike pasi i dërgon fotografi private një djali të cilin e ka njohur në internet. Në situata të tilla, vajzat në vend që të gjejnë mbështetje, përballen me akuza shtesë nga publiku, por edhe nga të afërmit. Me këtë, përveç dhunës si problem primar, fokusi u vu edhe në kulturën e krijimit të viktimizimit të dyfishtë të viktimës, e cila shpeshherë e lë në hije problemin e vërtetë – përgjegjësinë e kryerësit për veprimet e kryera penale.
Në aktin e dytë paraqitet ngjarja e një gruaje të robëruar në rrethin e dhunës në familje, e cila më kot kërkon ndihmë nga institucionet. Nëpunësit e relativizojnë problemin e saj dhe nuk veprojnë sipas raportimeve të saj të cilat përfundojnë me femicid. Sipas informacioneve të fundit, në katër vitet e fundit janë regjistruar 19 raste të femicidit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilat viktimat kanë vuajtur nga ish-partnerët ose partnerët dhe bashkëshortët e tanishëm, ndërsa vrasjet kryesisht kanë ndodhur në shtëpitë e tyre.
Nëpërmjet këtyre shfaqjeve të frymëzuara nga ngjarje të vërteta, e ndiejmë realitetin e vrazhdë për shumë njerëz, por i shohim edhe dështimet sistematike dhe qëndrimet shoqërore që kontribuojnë në rritjen e numrit të viktimave të dhunës me bazë gjinore.
Të dy aktet e shfaqjes iniciuan diskutim të hapur midis të pranishmëve, ku u përfshinë edhe një numër i madh të rinjsh, të cilët u treguan të ndërgjegjshëm për këtë problem.
“Është tronditëse të shohësh se sa shpejt e fajësojmë viktimën pa e njohur problemin e vërtetë. Duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit dhe të qëndrojmë kundër padrejtësive të tilla”, tha një vajzë e re nga publiku.
Një tjetër pjesëmarrës shtoi: “Nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen e vetëdijes, por edhe për atë se çfarë mund të bëjmë si individë dhe komunitete për t’i mbështetur viktimat dhe për t’i thirrur kryerësit në përgjegjësi.”
Duke i përfshirë qytetarët në zhvillimin e diskutimeve kritike dhe duke përdorur artin si mjet për ndryshimin shoqëror, UNDP-ja ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e tij për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës dhe krijimin e shoqërisë në të cilën të gjithë do të kenë qasje të barabartë në mbrojtjen institucionale dhe në garantimin e të drejtave të njeriut.
Evenimenti përfundoi me mesazh të qartë: “Lufta kundër dhunës me bazë gjinore kërkon veprim nga të gjithë ne si individë, komunitete dhe institucione. Kjo nënkupton thirrje për të qenë solidarë me viktimat dhe për të punuar drejt një të ardhmeje në të cilën dhuna e tillë do të jetë pjesë e së kaluarës.”
Shfaqja u realizua në kuadër të projektit “Lufta kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë. Videoja është përgatitur në kuadër të projektit “Të rinjtë për inkluzion, barazi dhe besim”, të zbatuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Fondin е Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, UNESKO-n dhe UN Women, me mbështetjen financiare të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.
Linku i videos nga forumi i shfaqjes teatrale “E dënuara”: https://youtu.be/5ddjsMnDMiE