Shkup, 1 mars – Bashkimi Evropian ka unifikuar mendimin politik si asnjëherë më parë e vendet e njohura si tradicionalisht neutrale kanë thyer akullin dhe i janë rreshtuar shteteve kundër të “sëmurit të Karpateve”. Së këndejmi, si duket për shqiptarët ka lajme të mira. Më në fund po vërtetohet se Serbia përkundër tentimeve për të luajtur “të mirin” në rajon. Pozicionimi i saj me Rusinë e tregon Serbinë e vërtetë, shkruan Zhurnal.mk.
Zvicra tanimë ka miratuar sanksione financiare kundër presidentit rus Vlladimir Putin. Qeveria zvicerane ka konfirmuar solidaritetin me Ukrainën dhe popullin e saj. Do të sigurojë materiale për t’u ndihmuar njerëzve që kanë ikur nga Ukraina në Poloni. “Në funksion të ndërhyrjes së vazhdueshme ushtarake të Rusisë në Ukrainë, këshilli federal mori vendimin për të miratuar paketat e sanksioneve të vendosura nga BE-ja më 23 dhe 25 shkurt”, njoftoi qeveria në një deklaratë.
Turqia lajmëroi se ka mbyllë ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për të gjitha luftanijet e huaja. Ministri i Jashtëm turk tha gjithashtu se asnjë anije luftarake nuk ka kaluar ngushticën që nga fillimi i luftës. Çavuşoğlu njoftoi për zbatimin e vazhdueshëm të Konventës së Montreux nga Turqia dhe për mbështetjen e fortë të Turqisë në mbrojtjen e Ukrainës.
Kujtojmë se për herë të parë në historinë e Finlandës, shumica e banorëve janë në favor të anëtarësimit në NATO. 53 për qind e finlandezëve mbështesin anëtarësimin në NATO. Ish-kryeministri finlandez Alex Stubb e quajti këtë një “ndryshim historik”.
Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar është zotëruar se do të sigurojë ngrirjen e mjeteve të të gjithë bankave ruse për disa ditë.
Ukraina meriton që menjëherë të hyjë në Bashkimin Evropian, kështu bëjnë të ditur tetë vende anëtare të BE-së (Bullgaria, Çekia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia). Si rrjedhojë, presidenti ukrainas, Vollodemir Zelenski sot ka nënshkruar kërkesë zyrtare që shteti i tij të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Ne, presidentët e shteteve anëtare të BE-së: Republika e Bullgarisë, Republika Çeke, Republika e Estonisë, Republika e Letonisë, Republika e Lituanisë, Republika e Polonisë, Republika Sllovake dhe Republika e Sllovenisë fuqishëm besojmë se Ukraina meriton të marrë një perspektivë të menjëhershme pranimi në BE”, thuhet në letër.
**
Diplomacia shqiptare deri më sot ka dështuar që ta paraqesë Serbinë si agresore dhe jo të sinqertë, në çfarëdo nisme rajonale dhe më gjerë. BE dhe faktori ndërkombëtarë në përgjithësi kanë përkëdhelur mjaftë presidentin Vuçiç. Duke e favorizuar këtë të fundit, shpesh kanë viktimizuar shqiptarët e Ballkanit.
A është momenti i kthesës së BE-së në perceptimin e Vuçiç dhe politikës së Serbisë? Mbetet të vuloset këto ditë. Tashmë gjërat janë sqaruar dhe po bëhen kristal. Historia si duket edhe kësaj here do të jetë në anën e shqiptarëve. Akrepat e orës rrahin për ditë më të mira për shqiptarët.
Në këtë drejtim është deklaruar ish kryeministri shqiptar Pandeli Majko. Sipas tij, pranimi në NATO tashmë është veç formale, pasi që Kosova mbrohet nga forcat e NATO-s.
“Pa dyshim, Kosova duhet të mendoj sa i përket bashkëpunimit edhe programit të sigurimit, dhe mendoj që në bashkëpunim me partnerët ne duhet të rivlerësojmë politikat tona të mbrojtjes në funksion te sigurisë rajonale. Kosova megjithëse nuk është anëtare e NATO-s, ajo është nën mbrojtjen e NATO-s, ka prezencën e NATO-s, dhe mendoj se nga pikëpamja formale mbetet vetëm pranimi”, ka thënë Majko në emisionin “Përballje”.
Majko është decid se Evropa do të shikojë se kush janë përkrahësit e saj në rajon dhe kush janë nxitës të stabilitetit, pa dyshim shqiptarët ku do që ndodhën janë faktor properëndimor, por edhe janë edhe faktor që prodhojnë stabilitet”.
“Serbët janë jashtëzakonisht rusofilë dhe pro Putinit. Shumë e shohin Rusinë si mbrojtësin sllav dhe ortodoks të Serbisë. Ndërsa zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale vijnë më 3 prill, Vuçiç nuk mund të përballojë të kthehet kundër Rusisë”, shkruan e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Edhe ish Ambasadori i SHBA-s në Kosovë, Philip Kosnett ka qenë i prerë në deklaratën e tij: Vuçiç ka zgjedhur Putinin para Perëndimit, kjo nuk është udhëheqje, është frikë morale.
Në dobi të çështjes shqiptare, respektivisht pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj në institucionet euro- atlantike shkon edhe deklarata e deputetes ukrainase, Iryna Friz e cila ka thënë se është momenti që Ukraina ta njeh shtetësinë e Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Friz thekson se në këto kohë të vështira të vendit të saj, Kosova është rreshtuar karshi miqve të Ukrainës. “Ne duhet t’iu bashkëngjitkemi partnerëve perëndimorë që tashmë e kanë njohur Kosovë dhe ta njohim edhe ne. Është koha të qëndrojmë me miq, jo të luajmë me armiq. Shtetet që janë betuar për miqësi me shtetin tonë, zgjodhën ta përkrahin okupatorin”, ka shkruar Friz, shkruan Zhurnal.mk.