Agjencia Zhurnal.mk.

Editorial: Kosova mos të anashkalohet nga raportet e mira ndërkufitare mes Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Serbinë

Shkup, 31 korrik – Nga sot, në pikën kufitare Qafë Thanë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë formalitetet kufitare dhe kontrollet doganore kryhen në kuadër të konceptit “One stop shop” me vetëm një ndalesë. Nisja zyrtare e këtij projekti të shumëpritur, u shënua në nivelin e merituar, ku morën pjesë kryeministrat e dy vendeve, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe ministra nga të dyja qeveritë, deputetë….

Sistemi i vendosur prej një sporteli për kontrolle të përbashkëta në anën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas kryeministrave të të dyja shteteve, do të nënkuptojë lehtësim të tregtisë së transportit dhe qarkullimit të udhëtarëve, shkruan Zhurnal.
“Kjo lehtëson punën e 11 mijë kompanive nga vendi ynë, të cilat janë të orientuara drejt eksportit dhe tregtisë me vendet e tjera. Në këtë mënyrë, ne tregojmë qasje më të lehtë në portet dhe pikat turistike në Shqipëri, por edhe në pikat turistike në Maqedoninë e Veriut. Më të bukurat janë këtu, vetëm pak kilometra nga ky vendkalim kufitar”, tha Kovaçevski.

Ballkani nuk ka nevojë për kufij

Kryeministri Kovaçevski përsëriti edhe një herë qëndrimin se Ballkani nuk ka nevojë për kufij dhe se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Serbinë është në nivel jashtëzakonisht të lartë. Me fillimin e nismës Ballkani i Hapur, ai theksoi se tregtia me Shqipërinë është rritur për 40 për qind, ndërsa me Serbinë për 50 për qind, që sipas tij është përfitim dhe është në interes si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë.

“Nuk ndalemi këtu. Ajo që tashmë po punohet është një Korridor 8 krejtësisht i ri në të dy vendet. Është diçka që do të bëhet realitet në pesë vitet e ardhshme. Nëse karakteristika e infrastrukturës mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishte se ajo nuk ekzistonte, tani pas pesë vitesh do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Ne arritëm që korridorin 8 ta vendosim në hartën e korridoreve trans-evropiane dhe jemi duke punuar në projekte për ndërtimin e linjës hekurudhore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pra nga Kërçova deri në Lin. Do të mundësojë realizimin e asaj që kemi rënë dakord, që është që të kemi një port të thatë në Strugë në portin e Durrësit, i cili do të ketë efekte të mëdha pozitive për kompanitë në Maqedoni”, tha Kovaçevski.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi në fjalimin e tij paralajmëroi se pas projektit të sotëm të suksesshëm, Qeveria do të vazhdojë me aktivitete edhe në vendkalimet e tjera kufitare, shkruan Zhurnal.

“Sot thyejmë një tjetër barrierë për komunikim më të lehtë dhe efikas mes nesh, i hapim rrugën një dimensioni të ri të bashkëpunimit duke lehtësuar dhe thjeshtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave midis vendeve tona. Shpreh mirënjohje ndaj të gjitha instancave institucionale në vendin tonë që kontribuan për realizimin e këtij projekti, ndaj autoriteteve në Republikën e Shqipërisë, për shkak se nuk u bënë as tre javë nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Shkup, kur u betuam bashkërisht se do ta realizojmë vendkalimin e përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë në Qafë Thanë dhe tash në më pak se tre javë kjo është realitet. Nuk do të ndalemi këtu! Të gjitha kufijtë tonë duhet të kenë “One-stop-shop”, si para-akt deri te largimi i kufijve përgjithmonë midis nesh”, tha Grubi.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim e cilëson si hap historik lëshimin në përdorim të vendkalimit të përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë në Qafë Thanë me një pikë të vetme kontrolli (One Stop Shop).
Kjo parti vlerësoi se ky model funksionimi është reflektim i një qasje progresive nga të dyja shtetet për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërfqinjësore përmes thjeshtësimit të procedurave burokratike dhe lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Sistemi i këtillë i realizimit të kontrollit kufitar është edhe një premtim i realizuar nga programi ynë për të eleminuar kolonat e gjata, për të përforcuar bashkëpunimin e ndërsjelltë ekonomik dhe në sferën e turizmit.

Kosova të bëjë pjesën e vetë të punës, mos të çalojë!

Ndërkohë, vala e korrikut e pushuesve nga Maqedonia që udhëtojnë në shtetet fqinje, por edhe fluksi i turistëve të huaj që do ta shfrytëzojnë vendin tonë si transit deri te destinacioni I preferuar, sërish e ka imponuar çështjen e lehtësimit dhe përshpejtimit të rocedurës së kontrollit kufitar për të evituar tollovitë për të cilat jemi dëshmiitarë këtyre ditëve.
Para disa viteve në vendkalimin kufitar Tabanoc u vendos kontroll i përbashkët kufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë. Kur filloi të zbatohet ky projekt në qershor të vitit 2019, i përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore me qëllim të integrimit rajonal, pati paralajmërime se i njëjti do të aplikohet edhe me Shqipërinë dhe vendet tjera kufitare. Pikërisht ër këtë arsye, në fokusin e ekipit të reporterëve të Zhurnal.mk ishte dhe është vendkalimi kufitar Bllacë.

Parashtruam pyetje deri te Ministria e Punëve të Brendshme nëse ekzistojnë planë që edhe në vendkalimin kufitar Bllacë të vendoset pikë kufitare si në Tabanoc, prej ku morëm këtë përgjigje:
“Ju njoftojmë se për hapjen e pikës së përbashkët kontrolluese në Vendkalimin Kufitar Bllacë e Poshtme, nga ana jonë marrëveshja është finalizuar dhe me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e njëjta është dërguar për harmonizim në Republikën e Kosovës. Pas harmonizimit dhe nënshkrimit nga pala tjetër do të prononcohet edhe Ministria e Finanncave-Drejtoria doganore e Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me pjesën që ka të bëjë me adaptimin e hapësirës, e me këtë do të fillonin edhe përgatitje për aftësimin e kontrollit të përbashkët kufitar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës “, deklaruan nga MPB duke u përgjigjur në pyetjen e Zhurnal.

Është fakt se Maqedonia e Veriut çdo herë favorizon nga pak raportet me Serbinë, vend me të cilin sistemi “One Stop Shop” është vendosur para disa viteve, por kjo nuk do të thotë se edhe Kosova nuk duhet ta bëjë pjesën e vet të punës, që mos të çalojë në përmbushjen e kushteve për vendkalim të përbashkët, respektivisht për “One Stop Shop”. Të plotësojë kushtet fillimisht për në Bllacë, që pastaj të fillohen edhe procedurat për vendkalimin kufitar Bellanoc-Stançiq, sepse edhe pjesa e Kumanovës dhe Gjilanit kanë nevojë për komunikim dhe lidhje më intensive mes veti. /Zhurnal

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky