Shkup, 3 gusht – Me shënimin e 2 Gushtit, edhe sivjet sikurse çdo vit, fillojnë pushimet vjetore për politikanët.
Nga Shqipëria, Turqia, Greqia, por edhe Mali i Zi, Kroacia e Italia janë disa nga destinacionet ku do të kalojnë pushimet verore liderët politikë dhe shtetërorë nga Maqedonia e Veriut.
Disa prej tyre janë duke bërë përgatitjet e fundit, në mënyrë që pas përfundimit të detyrave të punës, të mund të udhëtojnë, zakonisht me familjet e tyre.
Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, ndryshe nga viti i kaluar kur ishte në Angli, këtë vit do të shkojë në Itali ku do të qëndrojë pesë ditë, së bashku me familjen Disa ditë pushim do të ketë edhe kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski. Edhe pse nuk dihet destinacioni i saktë, ai do të shkojë jashtë shtetit me familjen pasi të përfundojë obligimet.
Deti Adriatik është destinacion i preferuar për drejtoreshën e Drejtorisë për Ardhura Publike, Sanja Lukarevska dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Numri një i DAP-it do t’i kalojë pushimet në plazhet e Kroacisë. Në anën tjetër, Mickoski, ashtu si vitin e kaluar, do të kërkojë pushim nga aktivitetet e përditshme partiake në Mal të Zi. Kolegu dhe bashkëpunëtori i afërt i tij, Aleksandar Nikoloski pushon në vendlindjen e tij në Ohër.
Përveç Mickoskit, Lukarevskës dhe Pendarovskit, jashtë Maqedonisë në muajin gusht do të mbushin bateritë edhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska së bashku me familjen e saj. Ka edhe nga ata që nuk do të bëjnë pushime. Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, do të qëndrojë në vend dhe, siç thotë ajo, verën do ta kalojë duke punuar për të mirën e kryeqytetit.
Ali Ahmeti do të ketë pushime ndryshe nga të tjerët. Si lider i një partie të gjelbët, Ahmeti edhe këtë verë do ta shfrytëzojë për rekreacion – në ditët e pushimit do të ecë në natyrë, sepse njihet si alpinist i pasionuar. Nuk përjashtohet mundësia shkurt të udhëtojë deri në bregdetin shqiptar.
Bregdeti shqiptar pritet të jetë destinacion kryesor pushimi edhe për liderët dhe politikanët tjerë shqiptarë, edhe pse do ketë edhe prej tyre që do pushojnë në Ulqin ose Turqi.
Pas kthimi nga pushmet, politikanët i presin temperature të larta në skenën politike
Sa është i nevojshëm pushimi për politikanët edhe më e nevojshme për qytetarët është që këto dy javë të pushojnë kokën nga politika. Nga pushimet e kaluara vjetore, deri në këto pushime, ishte një vit mjaft i lodhshëm dhe stresues për Maqedoninë e Veriut, përplot akuza e kundër akuza në skenën politike. Mirëpo 15 gushti do vijë shpejt, kur edhe politikanët edhe Maqedoninë e Veriut si shtet e pret një agjendë e ngjeshur dhe e rëndë politike.
Duhet të vazhdojë “gjahu” për sigurimin e plus 7 ose 8 deputetëve për nryshimet kushtetuese. Shprespjmë se deri atëherë temperatura nuk do të shkojë në “minus 10” deputetë. Në rend dite do të vijë votimi i parë për hapjen e Kushtetutës. Nëse sigurohen 80 vota në votimin e parë, do të pasojë me siguri një debat mjaft i nxehtë ndoshta me tensione, kurse në fund do t’i vijë radha edhe votimit për ndryshimet kushtetuese. Nëse sigurohen 80 vota mirë, por nëse nuk sigurohen, atëherë hapet Kutia e Pandorës dhe në tavolinë do të jenë të gjitha opsionet politike.
Mjaft interesant do të jetë edhe në skenën politike shqiptare. Nga vjeshta kësaj skene do t’I shtohene dhe dy “lojtarë” seriozë, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit dhe partia e paralajmëruar nga Arjanit Hoxha dhe deputeti Bastri Bajrami, shkruan Zhurnal. Zgjedhjet parlamentare do të jenë edhe më afër, kështu që dal ngadal do të fillojë të bëhet edhe kristalizimi i koalicioneve që do të ndodhin, kështu që do jetë pak më e qartë se kush do të garojë bashkë me subjekte tjera, e kush do garojë vetëm.
Edhe dorëhqjet e ministrave të BDI-së do të shqyrtohen pas pushimeve
Qeveria dhe kryeministri Kovaçevski si sfidë do ta kenë edhe dilemën se si do të veprojë me dorëheqjet e 5 ministrave të BDI-së, shkruan Zhurnal. Kryeministri i cili ditë më parë pranoi njoftimet për dorëheqje nga kabineti qeveritar i ministrave të BDI-së, sot nuk tha asnjë fjalë të vetme për veprimet që do t’i ndërmerr tani e tutje.
Qeveria tashmë është në pushim, ndërsa duket se dorëheqjet e kushtëzuara të ministrave të BDI-së do të mbeten thjeshtë akt moral në letër.
Kabineti i BDI-së në ekzekutiv ofruan dorëheqje të kushtëzuar mbi arsyetimin se më këtë veprim plotësohet kushti bazë i opozitës maqedonase për të mbështetur ndryshimet kushtetuese. Në njoftimet e dërguara deri tek kryeministri, funksionarët e BDI-së kanë kushtëzuar në mënyrë taksative se dorëheqjet hyjnë në fuqi vetëm atëherë kur VMRO-DPMNE-ja voton për ndryshimet kushtetuese të cilat aktualisht ndodhen në procedurë parlamentare.
Derisa LSDM-ja si partner koalicioni i BDI-së përshëndeti veprimin e integristëve dhe porositi VMRO-DPMNE-së se me këtë veprim janë plotësuar të gjitha kushtet e tyre për të mbështetur ndryshimet kushtetuese, partia e Hristijan Mickoskit shkoi një hap tutje. Nga ky subjekt kërkuan edhe dorëheqjet e ministrave të LSDM-së me në krye kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare menjëherë. Sipas opozitës, nëse pushteti do të ishte i sinqertë me dorëheqjet të njëjtat do t’i ofronte të parevokueshme dhe jo të kushtëzuara./Zhurnal