Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan u zotua të riatdhesojë mijëra sirianë, ndërsa po rritet pakënaqësia e publikut ndaj refugjatëve. Prania e tyre është ndoshta një pikë e dobët politike për zotin Erdogan, por plani i tij për riatdhesimin e refugjatëve ka filluar të kritikohet.
Vlerësohet se në Turqi gjenden katër milionë refugjatë sirianë të larguar nga konflikti i gjatë në vendin e tyre.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qeveria e tij do të kthejë në Siri në baza vullnetare një milion refugjatë, duke iu premtuar ndërtimin e njëqind mijë shtëpive, që ai thotë se do t’u ofrojnë atyre shansin për një jetë të re.
Sipas këtij plani, sirianët do të ktheheshin në një zonë që kontrollohet nga ushtria turke dhe rebelët sirianë, larg kontrollit të forcave qeveritare të Damaskut. Por grupet e refugjatëve paralajmërojnë se siguria është e pakët në të gjithë Sirinë.
“Ka ndalime arbitrare, ka zhdukje me forcë dhe vrasje. Ka një mungesë sigurie në përgjithësi. Njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre pa ditur nëse do të kthehen ndonjëherë. Kjo është diçka që ndodh në të gjithë Sirinë, pavarësisht se cila palë e ka nën kontroll lzonën”, thotë Haya Atassi, nga Shoqata për Dinjitetin e Qytetarëve.
Zoti Erdogan gjendet nën trysni për të filluar riatdhesimin e miliona refugjatëve, pasi anketimet sugjerojnë se është rritur pakënaqësia e publikut turk ndaj tyre.
“61% janë dakort ose shumë dakort me faktin se duhet një qëndrim më i ashpër për refugjatët sirianë, për shkak të lajmeve negative që kemi parë që lidhin refugjatët sirianë me kriminalitetin. Duke qenë se jemi në një rënie ekonomike, mendoj se çështja e refugjatëve bëhet më e nxehtë dhe emocionet dalin jashtë kontrollit”, thotë Can Selçuki, nga Organizata Kërkimore Ekonomike e Stambollit.
Vitin e kaluar në Ankara, një turmë e zemëruar sulmoi lagjen ku jetojnë shumë refugjatë sirianë.
Një video, ku paraqitet një Turqi utopike e drejtuar nga arabët është shpërndarë gjerësisht në internet. Mediat sociale janë plot me ndenja kundër refugjatëve.
Përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, shumica e partive opozitare bëjnë thirrje për kthimin e refugjatëve.
“Do të jetë me siguri një nga çështjet kryesore në fushatat politike për zgjedhjet. Kjo është një ndër pikat më të dobëta të qeverisë, sigurisht së bashku me krizën ekonomike. Por, partitë opozitare do ta përdorin shumë”, thotë Didem Danis, nga Shoqata për Studimin e Emigracionit.
Aktualisht, forcat turke të sigurisë po mbledhin rregullisht dhe po deportojnë personat që thonë se janë emigrantë të paligjshëm. Në të njëjtën kohë, refugjatët po përballen me kufizime në rritje, për t’i inkurajuar që të kthehen në Siri.
Por, disa analistë thonë se një presion i tillë mund shkaktojë një tjetër eksod refugjatësh drejt Evropës.
“Nëse ndjehen të braktisur mes dy alternativave të vështira, dhe veçanërisht nëse nuk dëshirojnë të kthehen në Siri, lëvizja drejt Perëndimit mund të jetë alternativa e vetme për sirianët, që të jetojnë diku ku mund të kenë një lloj begatie dhe sigurie”, thotë Omar Kadkoy, nga Fondacioni për Studimin e Politikave Ekonomike të Turqisë.
Me miliona sirianë të bllokuar në një atmosferë politike gjithnjë e më toksike, ndërsa afrohen zgjedhjet në Turqi, shumë prej tyre ndihen të tërhequr drejt Evropës, ku megjithëse mikpritja e tyre nuk është e garantuar, ata shohin të vetmen dalje nga situata.