FBI paralajmëroi së fundmi konsumatorët kundër përdorimit të stacioneve të karikimit publik falas.
Kjo pasi që, sipas mediave të huaja, mashtruesit kanë arritur të rrëmbejnë karikuesit publikë që mund të infektojnë pajisjet me malware ose softuer që mund t’u japin hakerëve qasjen në telefonin, tabletin ose kompjuterin tuaj, përcjell Telegrafi.
“Shmangni përdorimin e stacioneve të karikimit falas në aeroporte, hotele apo qendra tregtare”, thuhet në një postim në Twitter nga zyra në terren e FBI-së në Denver.
“Akterët e këqij kanë gjetur mënyra për të përdorur portet publike USB për të futur malware dhe softuer monitorues në pajisje. Mbani karikuesin tuaj dhe kordonin USB dhe përdorni një prizë elektrike në vend të tyre”.
Zyra e FBI-së në Denver tha se mesazhi kishte për qëllim një këshillim dhe se nuk kishte asnjë rast specifik që e shtynte atë.
Komisioni Federal i Komunikimeve ka paralajmëruar gjithashtu për një skemë përafërsisht të tillë që nga viti 2021.