Kavadar, 12 prill – Bartësi i listës së njësisë zgjedhore 4 të LSDM, dr. Venko Filipçe, ka takuar sot një numër të madh të qytetarëve në Kavadar. Ai ka biseduar me pensionistët, diabetikët dhe punonjësit e shëndetësisë për t’u njohur me sfidat dhe problemet me të cilat përballen. Filipçe synon të bisedojë personalisht me një numër të madh të qytetarëve në fushatë sepse, siç thotë ai, kjo është mënyra më e mirë për të fituar besimin, por edhe për të kuptuar problemet madhore të atyre që do t’i përfaqësojë në Kuvend.
“Në Kavadar sot kemi pasur shumë vizita dhe takime me qytetarë. Kam biseduar me pensionistë, diabetikë, punëtorë shëndetësorë, por edhe me anëtarë të LSDM-së dhe me qytetarë në rrugë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve intensive në terren dua të takoj sa më shumë njerëz. Javën e fundit flas me mbi 200 njerëz në ditë. Në takime i dëgjoj problemet dhe mendimet e tyre për të ndihmuar kudo që kam mundësi” – tha Filipçe.
Ai thotë se synimi i tij është që si deputet i ardhshëm të jetë përfaqësues i vërtetë i qytetarëve të kësaj zone.
“Atë që bëj si mjek dhe neurokirurg, që është në ndihmë të njerëzve, do ta bëj edhe si deputet i ardhshëm. Së bashku me ta do të ofrojmë kushte më të mira dhe zgjidhje për çdo problem që i prek. Njerëzit janë gjithmonë mirënjohës dhe vlerësojnë kur u japim kohë. Sado e vështirë të jetë ndonjëherë, besoj fort se është mënyra më efektive për të komunikuar dhe punuar në interes të tyre. Do të vazhdoj edhe më intensivisht në periudhën e ardhshme”- tha Filipçe pas takimit me pensionistët.