Shkup, 4 korrik – Në Klubin e deputetëve sot paradite filloi takimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderin e Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela lidhur me propozimin francez për fillim të negociatave inkuadruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Konsultimet e hapura për propozimin francez filluan të premten fillimisht me partnerët e koalicionit në Qeveri, prej të cilave disa tashmë u deklaruan pozitivisht për propozimin, ndërsa disa pritet atë ta bëjnë në periudhën në vijim. Kryeministri mbajti edhe takime konsultative me korin diplomatik. sektorin qytetar, me përfaqësues të opinionit të ekspertëve dhe mediumet.
Dje, kryeministri Kovaçevski mbajti takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristian Mickoski. Për VMRO-DPMNE-në propozimi francez është i papranueshëm. Mickoski pas takimit deklaroi se i ka propozuar Kovaçevskit dy opsione – ta refuzojë propozimin, ndërsa VMRO-DPMNE të tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose nëse Kovaçevski beson se me propozimin është siguruar identiteti, atëherë duhet të fshihen katër pika.
Propozimi francez dje u shqyrtua edhe nga ana e Këshillit të Sigurisë të cilin e konvokoi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, Shefi i shtetit pas seancës në konferencë shtypi deklaroi se propozimi francez është i pranueshëm. Me pranimin e propozimit, siç citoi, e heqim bllokadën bullgare e cila zgjat më shumë se dy vjet dhe lejohet formalisht hapja e negociatave pas 17 viteve pritje. Mundësohet skrining procesi, që është fazë e obligueshme para bisedimeve për klasterët – kapituj dhe më e rëndësishmja, siç tha ai, është se identiteti maqedonas nuk cenohet me asgjë, sepse përcaktimi themelor për gjuhën maqedonase në propozim ka formulim të pastër pa fusnota.
Propozimi francez në vend mbërriti të enjten pas së cilës kryeministri Kovaçevski paralajmëroi proces të gjerë konsultativ me koalicionin qeveritar, presidentin e shtetit, Kuvendin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspert dhe opinionin e gjerë në vend.




