Shkup 12 prill – Ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të rritet për 1,4 për qind këtë vit dhe për 3,6 për qind në vitin e ardhshëm, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e publikuar të ekonomisë botërore në vitin 2023, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Pas normave dyshifrore në vitin 2022, këtë vit inflacioni në Maqedoninë e Veriut do të ngadalësohet dhe do të arrijë në 9.2 për qind.
Nga vendet e rajonit, rritjen më të lartë ekonomike këtë vit do ta shënojnë Kosova 3.5 për qind dhe Mali i Zi 3.2 për qind. BPV-ja e Greqisë do të rritet me 2.6 për qind, e Shqipërisë me 2.2, e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës me 2.0, e Kroacisë me 1.7 dhe e Bullgarisë me 1.4 për qind.
Në nivel global, FMN-ja nuk pret një recesion këtë vit, por një rritje prej 2.8 për qind krahasuar me vitin 2022. Fondi nuk pret recesion as në SHBA, duke parashikuar një rritje prej 1.6 për qind.
Eurozona do të shohë një rritje prej 0.8 për qind, por me një rënie të ekonomisë më të madhe evropiane, të Gjermanisë – prej 0.1 për qind.
Projeksionet e FMN-së për ekonomitë aziatike janë më pozitive. Këtë vit BPV-ja e Kinës do të rritet me 5.2 për qind, India do të ketë një rritje prej 5.9 për qind dhe Vietnami, Indonezia dhe Filipina gjithashtu do të kenë rritje me mbi pesë për qind.