Agjencia Zhurnal.mk.

Gërguri: Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk punojnë mjaftueshëm për ta mbrojtur shoqërinë prej propagandës ruse

Shkup, 5 Qershor – Mediat shqipfolëse nuk janë burim i dezinformatave ruse, por këtë s’mund ta themi për mediat serbe. Shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan ta mbrojnë shoqërinë nga dezinformatat ruse, nuk po punojnë mjaftueshëm. Kështu mes tjerash e deklaroi në një intervistë për Portalb.mk, gazetari Dren Gërguri, i cili është dhe ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Sa janë të pranishme dezinformatat ruse në mediat shqiptare të rajonit dhe a janë këto media krijuese ose vetëm transmetues të dezinformatave nga mediat tjera rajonale apo botërore?

Besoj që edhe te ne ka dezinformata që qarkullojnë me tematikën që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, që kanë për qëllim për të ndikuar në mënyrën se si qytetarët e rajonit tonë e perceptojnë atë se çfarë po ndodh në Ukrainë. Nuk besoj që të tillat janë me burim prej mediave shqipfolëse sepse, po flas për Kosovën, kryesisht dezinformatat më shumë qarkullojnë ne mediat sociale që ne nuk e dimë se kush qëndron prapa tyre, pra autorin, se sa që janë gazetarët që bëjnë diçka të tillë. Besoj që përafërsisht është e njëjtë edhe për disa shtete të rajonit, por jo të gjitha sepse nëse e analizojmë Serbinë atëherë e vërejmë që në mediat ku punojnë gazetarët shohim propaganda të cilat kanë të bëjnë me atë që po ndodh në Ukrainë dhe që shpesh herë duken që janë pro Rusisë.

Prej asaj që kam pa, nuk është që kam hasur në ndonjë informacion i cili është transmetuar në media tradicionale ose të reja – portale, ku informacioni është përgatitur prej gazetarëve. Në ato raste kur i kemi vërejtur më shumë kanë qenë në faqe apo grupe të Facebook-ut dhe mund të ndodh që edhe qytetarët të bien pre e manipulimit dhe ta shpërndajnë në mënyrë të pavetëdijshme duke i besuar se ndoshta është e vërtetë. Por, megjithatë për Kosovën nuk është që e shohim këtë formë prej gazetarëve ose prej mediave meinstrim. Madje në Departamentin e Gazetarisë, me studentë jemi duke e punuar një hulumtim që ka të bëjë pikërisht me këtë pjesë se si mediat kanë raportuar në periudhën shkurt-mars-prill për luftën në Ukrainë, sepse duam ta matim perceptimin e Kosovës në raport me atë që ka ndodhur atje dhe mënyrën se si e kanë pa formën e raportimit të mediave dhe efektin që mundet me e pas në mundësi të shtrirjes së tensioneve edhe në pjesën tonë të Ballkanit Perëndimor. Brenda dy javëve do t’i kemi edhe rezultatet e hulumtimit në fjalë.

Sa janë të dëmshme këto dezinformata dhe a mund ta pengojnë procesin eurointegrues të Ballkanit Perëndimor?

Në raste të ndryshme e kemi pa që dezinformomi mund të ketë efekt serioz në shoqëri dhe kovidi na e ka treguar këtë. Për shembull, në Kosovë, në qershor të vitit 2020 kemi pasur një numër të madh të qytetarëve që në një pyetësor janë përgjigjur se kovidi nuk ekziston dhe kjo më së shumti ka qenë rezultat i dezinformatave që qarkullonin në atë kohë të cilat thoshin se nuk ka kovid, por merreshin me teori të ndryshme konspiracioni duke u përpjekur që ta shpjegonin se për çfarë virusi ose në çfarë forme është shpërndarë virusi edhe në shoqërinë tonë.

Për atë, besoj që gjithmonë, dezinformomi i tillë mund të ndikojë në mënyrën se si qytetarë te perceptojnë qoftë edhe integrimin euro-atlantik. Për shembull, kemi dezinformata që e kanë sulmuar intervenimin e NATO-s në Kosovë dhe gjendjen faktike që ka qenë në fund të viteve 90-ta në Kosovë. Është tentuar që të shtrembërohet e vërteta dhe publikut i ofrohet diçka tjetër që realisht nuk është ajo që ka ndodhur me intervenimin e NATO-s dhe me arsyet e intervenimit në luftën e Kosovës. Kjo çka mund të ndikojë është se te dikush krijon një perceptim për NATO-n dhe mund ta ndryshojë ndoshta edhe perceptimin që një pjesë e caktuar e shoqërisë mund ta ketë për NATO-n. Sepse çdo perceptim tek opinioni publik mund të krijohet dhe mund të ndikohet nga informacionet që i marrin, qoftë në media tradicionale ose sociale.

Si e perceptoni propagandën ruse dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor?

Është një prej temave që kohëve të fundit po diskutohet edhe më shumë, por ka qenë e pranishme edhe vite më përpara, megjithatë jo në diskutimin publik siç po bëhet tani. Këtë e kam vërejtur para 3-4 viteve kur kam qenë në një organizim në Shkup dhe është diskutuar edhe propaganda ruse dhe mënyra e diskutimit ka qenë goxha më ndryshe në raport me atë që e bëjmë diskutimin sot qoftë në Shkup, Prishtinë apo Tiranë sepse po e vërejmë se një propagandë e tillë ngadalë-ngadalë mund të krijojë efekte që ne mund të dalim para një situate që është shumë vështirë për ta luftuar një narracion që ndoshta ndër vite është forcuar me hapa të ngadalshëm.

Për atë, besoj që është shumë e rëndësishme që ne si shoqëri, qoftë në Kosovë, Maqedoni të Veriut apo Shqipëri e vende tjera të Ballkanit Perëndimor t’i diskutojmë këto në mënyrë që t’i shohim se cilat janë këto narracione që po vijnë prej asaj propagande dhe që po e sulmojnë, të themi kushtimisht, qetësinë që e ka Ballkani Perëndimor ose që po e ngacmojmë herë pas herë tensionin në Bosnje që e dimë se mund të ketë efekt domino në krejt rajonin.

A janë të mjaftueshme masat e shteteve të Ballkanit për të parandaluar përhapjen e dezinformatave që kryesisht vijnë nga Rusia?

Besoj që në Ballkanin Perëndimor kemi shtete që mediat atje e çojnë propagandën dhe narracionin rus dhe kemi shtete të tjera që përpiqen të mbrohen nga propagandat e tilla. A punojnë mjaftueshëm? Nga informacionet publike që janë, besoj që nuk punohet mjaftueshëm prej atyre shteteve që duan ta mbrojnë shoqërinë prej propagandës ruse. Siç e përmenda më lartë, mund të ketë të atilla që nuk e kanë synim si institucione që udhëheqin me vendin, por edhe thjeshtë mund të jenë edhe pjese e shpërndarjes së propagandës ruse.

Nga këto që përpiqen të mbrohen, besoj që nuk kanë punuar mjaftueshëm dhe tash ka një angazhim më të madh, megjithatë kur flasim për propagandën do të duhet të përpiqet të luftohet në kanale dhe gjuhë të ndryshme sepse ajo që kemi parë, propaganda ruse dërgon një dezinformatë në gjuhën angleze në Tuiter në Afrikën e Jugut për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ku realisht një dezinformatë e tillë mund të pranohet shumë më lehtë prej qytetarëve në ato shtete sepse nuk kanë informacione të mëhershme për atë se çfarë ka ndodhur dhe pse NATO ka ndërhyrë në Kosovë. Për atë, kjo është shumë e rëndësishme që lufta ndaj propagandës të mos bëhet vetëm në aspektin e brendshëm, por institucionet të jenë proaktive në luftimin e dezinformatave kudo nëpër botë.

Çfarë duhet të bëhet për t’i ndaluar dezinformatat, veçanërisht ato ruse?

E kemi parë që mbyllja e Sputnikut dhe Russia Today nuk e ka plotësuar atë bllokadën e propagandës ruse sepse ajo mund të vijë në Ballkanin Perëndimor edhe nëpërmjet internetit. Besoj që për këtë institucionet do të duhet të jenë të vetëdijshme. Te qytetarët sipas meje, ndërlidhet me nivelin e edukimit medial në shoqëritë tona dhe mënyrën se si ne i konsumojmë informacionet dhe sa i konfirmojmë apo verifikojmë para se t’u besojmë. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që çfarëdo që lexojnë, gjithmonë ta kërkojnë në më shumë se në një burim dhe të mos mbeten vetëm me një burim të informacionit pasi që në atë rast mundësia që ata të manipulohen është më e madhe. Organizatat e shoqërisë civile, besoj që duhet të jenë kontribuuese në këtë rrafsh, duke u përpjekur që ndoshta të bëjnë hulumtime në atë formën se çfarë narrativash po krijohen ose të masin edhe opinionin publik në raport me tema të ndryshme ose pse jo, edhe të organizojnë edhe trajnime që ndoshta këtë mungesën e edukimit apo shkathtësive mediatike në shoqëri ta zbehin. Nga njëra anë mund të jetë arsimimi formal dhe të mësohet në shkolla, por pjesa tjetër e shoqërisë që s’është më në shkollë edhe ata e kanë nevojën, pothuajse të njëjtë ose ndoshta më të madhe që të diskutojnë në tema të tilla dhe këtu mund të ketë kontribut prej shoqërisë civile në arsimin joformal.

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky