Shkup, 12 prill – Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, thotë se nuk sheh arsye që Marrëveshja për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 d me “Behtel dhe Enka” të mos publikohet, përveç, nëse kjo nuk parashihet me klauzolë në vetë marrëveshjen.
“Unë nuk shoh arsye pse marrëveshja të mos publikohet. Bëhet fjalë për marrëveshje strategjike me interes kombëtar, nuk jam e sigurt për momentin, do të kontrolloj se a ka eventualisht ndonjë klauzolë e cila do ta pengonte këtë. Në të kundërtën, do të thosha përsëri, kjo është marrëveshje me interes kombëtar dhe strategjik dhe nuk mendoj se duhet të fshihet nga publiku”, deklaroi zëvendëskryeministrja Gërkovska në pyetjen e gazetarëve para promovimit të projektit “Rimendim i udhëheqjes”.
Sa i përket ndryshimeve ligjore në drejtim të rritjes së javës së punës prej 40 në 60 orë, ndërsa të cilat kanë të bëjnë vetëm në realizimin e projektit për korridoret, Gërkovska pret që të sqarohen punët gjatë debatit për ligjet në Parlament.
“Ju e shihni se ka shumë amandamente. Vetë thatë se bëhet fjalë për masë e cila ka të bëjë vetëm për projekte të cilat janë me interes strategjik dhe kombëtar dhe kjo është pas pajtimit paraprak të punëtorit. Domethënë nëse pranon punëtori, kjo mund të realizohet”, tha Gërkovska.
E pyetur në lidhje me mundësinë që kjo të keqpërdoret nga punëdhënësit, zëvendëskryeministrja u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të arrihen zgjidhjet të cilat do ta pamundësojnë këtë.
“Unë dua tu bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente që ta shqyrtojnë nga të gjitha aspektet e mundshme dhe nëse konfirmohet se ka çfarëdo lloj problemi i cili mund të prekë kushtetutshmërinë ose të jetë në kundërshtim me ligjet e tjera, me të drejtat e tjera, ju bëj thirrje të gjithëve që të gjejnë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë në funksion të përmbushjes së prioriteteve strategjike dhe kombëtare”, tha Gërkovska.