Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se Kosova ka nevojë që Serbia të jetë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, e jo të refuzojë secilën marrëveshje që shkon në Bruksel për nënshkrim.
Ajo deklaroi për mediumin portugez “Diaro de Nolicias” se normalizimi i raporteve nënkupton sjellje normale të palëve, respekt të fqinjësisë dhe moskërcënim me luftë. Sipas Gërvallës, në procesin e negociatave janë parë dy lloje të Serbisë.
“Është kaq e vështirë me Serbinë. Ata ulen në tryezën e bisedimeve dhe premtojnë dhe pastaj vjen një Serbi krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e premtimeve. Kësaj radhe Serbia as që nënshkroi, kështu që nuk jam optimiste për të pritur ndryshime në javët apo muajt e ardhshëm”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, Serbia nuk qe gati për marrëveshje në Bruksel as më 27 shkurt e as më 18 mars, e kjo sipas saj, nuk u kritikua as nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i dialogut.
“Serbia vazhdon lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe më pas kur vjen koha për nënshkrim, refuzon. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”, tha ajo.
Ministrja e Jashtme deklaroi se Kushtetuta e Kosovës si produkt i politikës evropiane u garanton të drejta të gjera pakicave, me theks të veçantë serbëve. Ajo tha se ajo që mund të diskutohet në Bruksel, gjendet tashmë brenda Kushteutës, e ky debat për Gërvallën, është për ta larguar vëmendjen nga problemet reale.
“Kjo udhëheqje serbe s’është aspak e interesuar ta çojë Serbinë në BE. Këtë e thonë çdo ditë. Nëse i shikojmë sondazhet, shohim se edhe njerëzit në Serbi, shumica, s’janë pro anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo do të thotë se të gjitha vendet tona që po bëjnë përparim, për shembull Kosova po bën përparim të madh në çështjet e sundimit të ligjit sipas standardeve evropiane, duhet të presin derisa Serbia, që i shërben interesave të Rusisë, të ndahet nga ajo, ose të ketë rrugë ku i plotësojnë kushtet për të hyrë në BE. Besoj se BE-ja nuk është shumë e sinqertë në ofertën që i bën Ballkanit Perëndimor për integrim dhe kjo është pjesë e problemit. Nëse oferta është e sinqertë, atëherë përpjekjet e rajonit do të konsiderohen të mjaftueshme”, tha ajo.
Për diplomacinë ndërkombëtare, Gërvalla tha se Kosova duhet të punojë me miqtë dhe vendet partnere, e sidomos me vendet mosnjohëse që kanë dilema apo “keqkuptime mbi atë se çka është Kosova dhe si u bë vend i pavarur”.
E pyetur për bashkimin kombëtar, ministrja e Jashtme tha për mediumin portugez se Kosova po punon për ndërtim të demokracisë, së bashku me Shqipërinë.
“Republika e Kosovës nuk po shkon askund, është një realitet, dhe ne po punojmë shumë dhe fort për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të begatë që së bashku me Shqipërinë të mund të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian në të ardhmen”, shtoi ajo.