Shkup, 18 janar – Euroambasadori Dejvid Gir sot deklaroi se liria e mediave dhe shprehjes është vlerë themelore e BE-së dhe gurrëthemel i demokracisë. Gir, i cili sot bashkë me ambasadorë të vendeve të tjera anëtare të BE-së është për vizitë në Ohër, nuk deshi ta komentojë shkurtimin e buxhetit të Agjencisë Informative Mediatike (MIA), për çka janë ndërmarrë një varg masash, në mesin e të cilave edhe mbyllje të vendeve të korrespondentëve jashtë vendit, si dhe deklaratat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të kryetarit të të BDI-së, Ali Ahmeti, të dhëna për dy televizione.
“Nuk do t’i komentoj deklaratat e ndryshme të politikanëve dhe liderëve, por më lejoni të them se liria e mediave dhe shprehjes është vlerë themelore e BE-së dhe diçka që e ndjekim nga afër. Liria e mediave është gurthemel i demokracisë sepse mban llogari dhe siguron se qytetarët janë mirë të informuar dhe mund të marrin vendime të informuara mirë. Kjo nënkupton se nga njëra anë mediat janë të detyruara që të bëjnë një lloj të tillë të informacioneve të besueshme dhe të sakta dhe duhet të angazhohen për standardet më të larta profesionale, dhe nga ana tjetër është me rëndësi që liria e mediave të ruhet dhe të mbrohet nga ndikime dhe përzierje dhe nga çdo lloj veprime të tjera që mund t’i detyrojnë gazetarët në autocenzurë ose të frikësohen nga diçka”, tha Gir.
Ambasadori evropian foli për përgjigjen për çështjet më të rëndësishme për BE-në në lidhje me reformat dhe skriningun tonë, duke potencuar se “edhe liria e mediave është një nga ato çështje e cila hyn në thelb të asaj që quhet çështje fundamentale” dhe është me rëndësi të madhe për Brukselin.