Gjykata Supreme e Brazilit ka urdhëruar arrestimin e shefit të sigurisë publike në kryeqytetin Brazilia, pasi mbështetësit e ish-presidentit Zhair Bolsonaro sulmuan ndërtesat qeveritare.
Gjykata urdhëroi gjithashtu arrestimin e Anderson Tores, i cili ishte ministër i Drejtësisë i Bolsonaros përpara se të merrte detyrën si shef i sigurisë publike këtë muaj në Brazilia, ku mijëra protestues sulmuan Gjykatën e Lartë, Kongresin dhe zyrat presidenciale të dielën. Tores, i cili u hoq nga detyra të dielën, nuk ishte në qytet kur ndodhën trazirat, pasi u nis për në Florida në fillim të këtij muaji.
Në postimin e djeshëm në Tuiter, ai tha se do të kthehej në Brazil nga Orlando, ku ishte për pushime familjare dhe do t’i dorëzohej autoriteteve.
Gjykata kërkoi gjithashtu arrestimin e Fabio Augusto Vieira, kreut të policisë ushtarake të Brazilias, njëri nga disa zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen e ndërtesave kryesore qeveritare në kryeqytet.
Në urdhrin e arrestit theksohet mossuksesi i tyre për të siguruar forcën e duhur policore, duke lejuar më shumë se 100 autobusë me mbështetës të Bolsonaros të hynin në qytet, si dhe mossuksesin e tyre për të mbyllur kampin ku ata ishin mbledhur për muaj të tërë.