Agjencia Zhurnal.mk.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë në mars

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti.

Gjatë konferencës së fundit përgatitore, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha është gati të fillojë gjykimin, pavarësisht volumit të punës, procedurave dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen.

Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson tha se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars, megjithatë ai tha se “kanë para vetes një periudhë jashtëzakonisht intensive pune” deri në fillimin e gjykimit.

Avokatët mbrojtës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u pajtuan që të mos lexohet aktakuza në fjalën hyrëse në fillim të gjykimit. Mirëpo, ZPS-ja tha se do të mbajë një deklaratë hyrëse.

Edhe avokatët mbrojtës thanë se do të bëjnë një deklaratë hyrëse, pas deklaratës së ZPS-së në fillim të gjykimit.

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith, shprehi qëndrimet e tij me volumin e punës në këtë rast duke thënë se “pret që ky gjykim të jetë më i gjatë se sa mendohet”.

Smith tha se gjykimi mund të tejkalojë periudhën prej pesë vitesh sa është paraparë të zgjasë procesi gjyqësor në këtë rast.

Megjithatë, ai tha se gjykata rezervon të drejtën që t’i kërkojë prokurorisë që të zvogëlojë numrin e dëshmitarëve apo të shmangë përsëritjen e tyre në proces.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të trupit gjykues, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, por se jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

ZPS-ja tha se në disa raste, do të mbështetet në dëshmitë e tyre.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar dha dorëheqje kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith. Smith, i cili i ishte bashkuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar në vitin 2018 ishte i ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Related posts

Kurti: Kosova udhëheq me rritjen e saj ekonomike në Ballkan, model i suksesit dhe transformimit

D V

Picula: Serbia dëshiron ta kompensojë humbjen e Kosovës duke rritur ndikimin e saj në vendet fqinje

D V

Kurti: Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky