Strugë, 29 mars – “Merr një libër, lë një libër” është motoja e Bibliotekës së sapohapur në Strugë, e cila gjendet në oborrin e shkollës së mesme “Niko Nestor”, projekt i realizuar nga Qendra e Komunitetit të Komunës së Strugës dhe shoqërisë ekologjike KAB Strugë.
Ideja, siç informoi Nderim Pollozhani nga KAB Strugë, është që të kemi një kënd të hapur ku struganët të marrin libra për të lexuar, por edhe të lënë libra për lexuesit e tjerë. Mini biblioteka është në formën e ish-Kullës së Sahatit, që, sipas tij, do të shërbejë si përkujtim se në Strugë ka ekzistuar një vepër e tillë historike.
“Me këtë duam të japim një kontribut që të inicohet leximi në qytetin e poezisë. Biblioteka e hapur do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare”, tha Polozhani për MIA-n.
Fillimisht, theksoi, mini objektin kanë dashur ta vendosnin në qendër të qytetit, por Vetëqeverisja Lokale nuk kishte një hapësirë të planifikuar, prandaj e vendosën në oborrin e shkollës së mesme.
“Interesi është i madh. Sa herë që kaloj, ka nxënës dhe qytetarë të tjerë, që vijnë për të dhuruar libra, por edhe marrin për t’i lexuar. Objekti po mbushet”, theksoi Pollozani.
Në bibliotekën e hapur lihen libra në gjuhën maqedonase, shqipe, angleze, turke dhe gjuhë të tjera. Kushdo që është i interesuar mund të vijë dhe ta kërkojë përmbajtjen e dëshiruar.




