Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot në Kuvend se Kosova mundet të hënën ta mbyll marrëveshjen me Serbinë, pasi sipas tij, i vetmi vend që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia.
Haradinaj në një deklaratë para mediave tha se Kosova me pranimin e propozimit evropian ec përpara në planin e sigurisë, Partneritetit për Paqe dhe NATO.
“I vetmi vend që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia…, që nuk ka interes të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të mbetet e hapur e potencial për destabilizim ose për debat të vazhdueshëm politik…”, tha kryetari i AAK-së, raporton Telegrafi.
Ai tha më tej se Kosova mund të hënën që të mbyll marrëveshjen e jo vetëm të jap sinjale pozitive.
“Pos në aspektin e sigurisë e mbrojtjes, Kosova mundet menjëherë me e shtu edhe një komponent kësaj marrëveshjeje, aspektin financiar e ekonomik”, tha Haradinaj, duke shtuar se rrjedhjet buxhetore për veriun janë duke u rritur.
Sipas tij është moment i mirë që Kurti e Qeveria të kërkojë ndihmë financiare, investime edhe përkrahje ekonomike për ta zbatuar më tutje jo vetëm rendin e ligjin në veri, por edhe zhvillimin ekonomik atje.