Agjencia Zhurnal.mk.

Helga Shmid: Atë që e veçon OSBE-ja është aftësia që të nxisë qasje rajonale për sfida të përbashkëta

Shkup, 30 nëntor – Pjesë e asaj që e veçon punën e OSBE-së është aftësia jonë për të inkurajuar qasjet rajonale ndaj sfidave të përbashkëta, theksoi Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmid, në fjalimin e saj në takimin e 30-të ministror të OSBE-së në Shkup. 

Sipas saj, kjo organizatë, bazuar në parimet dhe angazhimet e dakorduara nga të gjithë pjesëmarrësit në Helsinki para pothuajse 50 viteve më parë, nuk dedikohet vetëm për një shtritje të caktuar të sfidave të sigurisë, por edhe të ftojë pjesëmarrësit e saj në përgjegjësi.

“Një pjesë e asaj që e veçon punën e OSBE-së është aftësia jonë për të inkurajuar qasjet rajonale ndaj sfidave të përbashkëta. Merrni për shembull punën tonë në Azinë Qendrore. Në Stokholm në vitin 2021, bëra propozime se si t’i mbështesim vendet tona pjesëmarrëse në Azinë Qendrore në përballjen me implikimet të pushtimit brutal të Afganistanit nga talebanët. Më keni ngarkuar të zhvilloj një plan që i përket një gamë të gjerë sfidash në të gjithë rajonin. Kështu kemi zhvilluar një program në Sekretariat – në bashkëpunim me misionet tona në terren. Dhe falë disa donatorëve, duke përfshirë edhe partnerët, aktualisht po realizojmë 77 milionë euro në projekte jashtëbuxhetore në këtë kontekst, të cilat në fund të fundit na shërbejnë të gjithëve”, theksoi ajo.

Shtoi se ky është vetëm një shembull, ndërsa çështja, siç tha ajo, është se vlera unike ofrohet përmes një qasjeje rajonale.

“Duhet të qëndrojmë efektivë në mënyrë që të jemi në gjendje të përgjigjemi kur vendet pjesëmarrëse kërkojnë mbështetje. Në Ukrainë, ndërsa na u desh të mbyllnim dy nga misionet tona vitin e kaluar, ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe shoqërinë për t’u përbalë me ndikimin e luftës, si dhe për të mbështetur institucionet demokratike të vendit. Kjo është e mundur për shkak të punës krejtësisht jashtëbuxhetore të bërë atje, me financim nga 30 vende pjesëmarrëse dhe Bashkimin Evropian dhe një përfaqësuesi special të përkushtuar në terren. Kjo mbështet 20 projekte për zgjidhjen e problemeve me ndikim të minave tokësore dhe efektet mjedisore nga lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Shmid.

Sekretarja e përgjithshme theksoi se është veçanërisht krenare që ka punuar për t’i shërbyer parimeve të OSBE-së.

“Kam shërbyer me tre kryesues – ministren Linde nga Suedia, ministrin Rau nga Polonia dhe kryesuesin tonë aktual, ministrin Osmani nga Maqedonia e Veriut. Ata të gjithë kanë punuar pa u lodhur për të mbështetur dhe avancuar parimet e OSBE-së – përfshirë në situata të shkeljeve të rënda. Jam thellësisht krenare që kam punuar për t’u shërbyer këtyre parimeve së bashku me kolegët e mi Teresa Ribeiro, Mateo Makaçi dhe Kairat Abdrahmanov”, theksoi Shmid

Maria Shmid thotë se OSBE-ja ofron zgjidhje që janë të përshtatura për rrethanat lokale dhe ndihmon me sfidat që prekin secilin prej vendeve tona pjesëmarrëse.

Ajo theksoi se ishte veçanërisht krenare për punën që po bënin për të angazhuar, siç tha ajo, “ata që mund të nënpërfaqësohen – duke përfshirë pakicat kombëtare, të rinjtë dhe natyrisht gratë”.

“Ne nuk po luftojmë vetëm kundër dhunës gjinore, por gjithashtu po promovojmë gratë si agjente të ndryshimit, qoftë në menaxhimin e ujit apo punën policore në komunitet. Dhe përmes rrjetit që nisa vitin e kaluar, ne mbështesim gra ndërtuese të paqes dhe ndërmjetëse nga i gjithë rajoni i OSBE-së, si dhe nga Afganistani. Ne i ndihmojmë ata të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të zgjerojnë rrjetet e tyre, sepse ne kemi nevojë për më shumë gra në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, tha Shmid.

Si pjesë e shembujve mbi të cilët po punon OSBE-ja, ajo veçoi sigurinë kibernetike, ndërlidhjen dhe antikorrupsionin.

Në fjalimin e saj, ajo tregoi se kërkon me këmbëngulje një mënyrë për të përmirësuar punën në Sekretariat dhe OSBE, ndërsa në lidhje me burimet, ajo tregoi se ata kishin regjistruar shuma rekorde të kontributeve ekstrabuxhetore, të cilat, siç theksoi ajo, janë dyfishuar gjatë mandatit të saj.

Helga Maria Shmid theksoi se OSBE-ja është pjesë thelbësore e arkitekturës së sigurisë. Dhe nevoja për kontribute unike është më e madhe se kurrë.

Në hapje më parë u drejtuan kryeministri Dimitar Kovaçevski , ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kryetarja e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma. Sesioni vazhdon me prezantimet nga delegatët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse dhe partnere të OSBE-së.

Maqedonia e Veriut është nikoqire e Këshillit të 30-të ministror të Organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vendet partnere. 

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky