Banorët e Big Brother, kanë kryer nderimet për të ndjerin Pal Kola, rojen e sigurisë së Top Channel që humbi jetën nga sulmi terrorist në mesnatën e së hënës.
Ata i shprehën ngushëllimet e tyre familjes së Pal Kolës dhe mbajtën një minutë heshtje në nder të tij.
Mirëpo ajo çfarë ra në sy është gafa e banores Deamishel, e cila teksa shprehte ngushëllimet e saj, përdori fjalën e gabuar “urim”.
“I urojmë ngushëllime familjes së Pal Kolës”, ka thënë arkitektja dhe prezantuesja e njohur, ndërsa kaq ka mjaftuar që videoja të bëhet virale në TikTok.
Kjo nuk është hera e parë që Dea shkakton një gafë në BBVA, pasi ajo është bërë “hit” edhe për përgjigjet e saj të pakuptimta rreth vitit kur ka lindur Skenderbeu dhe shteteve me të cilat kufizohet Kosova.
Për shkak që për televizionin Top Channel ishte ditë zie të martën, spektakli i së martës nuk u mbajt si zakonisht, por thjeshtë iu komunikua banorëve ngjarja tragjike që kishte ndodhur.