Prishtina ka shënuar fitoren e dytë radhazi në elitën e futbollit kosovar.
Kryeqytetasit kanë mposhtur Ulpianën me rezultat 2-0, në ndeshjen e xhiros së 25-të të Superligës, shkruan Gazeta Olle.
Pas ndeshjes, kryetrajneri i Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq u nda i kënaqur me paraqitjen, por theksoi se skuadra ka problem me ndërrimin e fushave.
“Duhet ta pranojmë që kemi problem me ndërrime të fushave, nuk mund t’i luajmë dy ndeshje rresht në të njëjtin stadium. Përsëri kemi luajtur në një stadium të ri dhe për lojtarët është e vështirë të adaptohen. Sa i përket ndeshjes, në pjesën e dytë kemi qenë më agresiv, fituam duelet dhe kemi qenë më të rrezikshëm në fazën e sulmit”, ka thënë Ibrakoviq fillimisht.
Ai foli edhe për takimin që Prishtina do ta luajë në çerekfinale të Kupës me Ballkanin.
“Sigurisht se do të luajmë kundër një kundërshtari të fortë që është lider në ligë. Do të japim maksimumin. Nëse ne e japim më të mirën, edhe për ata do të jetë shumë e vështirë”, theksoi Ibrakoviq.
Pas fitore së sotme, tani Prishtina ka arritur në kuotën e 32 pikëve në pozitën e pestë, ndërsa Ulpiana mbetet në vendin e parafundit me 23 sosh dhe tani seriozisht rrezikon rënien nga Superliga. /Gazeta Olle/