Agjencia Zhurnal.mk.

Janë “prishur” alarmet për bomba, tani është koha që të rritet siguria kibernetike!

Shkup, 5 tetor – Në Maqedoninë e Veriut “alarmet për bomba” ishin bërë pothuajse përditshmëri e zakonshme, që nuk kishte javë që nuk dëgjoheshin alarme të tilla në lokacione të ndryshme, caqe kryesore ishin qendrat tregtare, qendra e qytetit, shkolla, e vende të tjera që kryesisht janë të frekuentuara me qytetarë. Dhe, nga kjo situatë nxënësit ishin ato që dëmtoheshin më së shumti, sepse në të njëjtën kohë edhe ishin të rrezikuar edhe humbnin mësimin. Përpos kësaj kur kemi të bëjmë me kërcënime rutinor kjo shkakton edhe presion dhe ngarkesë psikike. Por, e gjithë kjo dramë shihej si paaftësi e shtetit që të zbulohen autorët që përgatisin këto alarme të rrejshme. Por, tani këto muajt e fundit gjëra të tilla nuk janë dëgjuar për fat të mirë, ngjan sikurse janë “prishur” këto alarme për bomba dhe për këtë kohë janë jashtë funksionit. Shteti dhe institucionet përkatëse duhet ta shfrytëzojnë këtë vakum në mënyrë që të rrisin sigurinë kibernetike në nivelin më të lartë të mundshëm, që talljet e tilla me sigurinë e vendit të mbesin vetëm histori e së kaluarës. Në fillim të shtatorit, sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Aitonix në Shkup në vlerë prej 23 milionë eurosh për licenca softuerike për mbrojtje nga sulmet kibernetike. Ku si pasojë e sulmeve kibernetike në vend kanë ngelur pa paga edhe punëtorët shëndetësorë, me fjalë të tjera nuk ka pasur rahati e qetësi, shkruan Zhurnal.

Alarmet për bomba dikur ishin përditshmëri, nuk dihen ende autorët e kjo periudhë duhet të shërbejë për rritje të sigurisë kibernetike –

Institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë cak i sulmeve kibernetike. E ndaj kësaj nuk duhet qëndruar duarkryq, dhe për fat të mirë institucionet e vendit kanë rritur investimet në softuerët. Flitet për nënshkrimin e një marrëveshje me kompaninë Aitonix në Shkup me vlerë prej 23 milionë eurosh për licenca softuerike për mbrojtje nga sulmet kibernetike. Marrëveshje e cila kap vlerë prej 8 milionë eurosh më shumë se sa e njëjta marrëveshje e nënshkruar para tre viteve.

Përveç kësaj , në maj të këtij viti Ministria e Shoqërisë Informative në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar themelimin e një agjencie për digjitalizim që do të ketë për detyrë koordinimin e sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet e vendit. Gjatë dy vjetëve të fundit shumë institucione të shtetit ishin cak i sulmeve kibernetike duke paralizuar funksionimin e tyre me ditë të tëra.

Për t’i shmangur problemet e këtilla, ministri i Shoqërisë Informative, Azir Aliu, bëri të ditur se në agjencinë për digjitalizim do të angazhohen ekspertët më të mirë të inxhinierisë së teknologjisë informative nga vendi dhe jashtë. Sipas tij, ata do të menaxhojnë me tërë procesin për të mbrojtur strukturën digjitale të institucioneve të shtetit.

Nga vinin alarmet e rrejshme për bomba?

Deri më tani nuk dihet se kush janë autorët e kërcënimeve për bomba, të cilat kanë rezultuar të rrejshme porse kanë shkaktuar kaos në funksionimin e shkollave po edhe institucioneve të shtetit, si dhe qendrat tregtare. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmërimet për bomba, të cilat kanë filluar menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, i ka cilësuar “sulme terroriste hibride” që vijnë nga jashtë. Por, kush janë autorët e vërtetë ende nuk dihet.

Dhe, nëse këta autorë për një kohë të caktuar janë ndaluar kush garanton që nuk do të fillojnë sërish, e se çfarë rreziku dhe pasoja kanë sjellë në realitet alarmet e tilla për bomba, vazhdoni të lexoni tekstin më poshtë.

Çfarë rreziku paraqesin këto alarme dhe a është paaftësia e shtetit për të identifikuar këto persona?

Alarmet për bomba të rrejshme paraqesin rrezik të veçantë për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse secili prej tyre mund të jetë viktimë e ndonjë sulmi të vërtetë. Qytetarët janë dëshmitarë të sulmeve të ndryshme që kanë ndodhur në kryeqendrat botërore, pak më herët në Wien të Austrisë, e së fundmi në Turqi, pra flitet për raste dhe sulme terroriste që marrin një numër të madh viktima të pafajshme. Prandaj, kur dëgjohen alarme për shpërthime të bombave sado që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me alarm të rrejshëm sërish, përsëri është ndjenja e frikës që mos ndoshta këtë herë kemi një shpërthim të vërtetë.

Organet përgjegjëse të shtetit nuk janë të afta të detektojnë se kush janë personat që po kurdisin këto alarme të rrejshme, dhe kjo paaftësie e organeve të shtetit krijon në mënyrë të drejtpërdrejt pasiguri te secili qytetarë.

Në kohën që po zhvillohet lufta në Ukrainë, gjegjësisht gjenocidi rus në territorin e Ukrainës, pas një “pushimi” nga sulmet terroriste, i fundit në Turqi, krijohet domosdo ndjena e pasigurisë që pas shumë paralajmërimeve mund të ndodhë ndonjë sulm që mund të jetë me motive të ndryshme, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë sulm eventual të jetë edhe shkas për destabilizim të rajonit. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky