Kapet sasi e madhe droge në Portin e Durrësit. Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit organizuan operacionin e koduar “Tranziti”. Gjatë operacionit është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë trafik.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.




