Pak para se të nisë vendimi i Qeverisë së Kosovës për gjobitja e qytetarëve që përdorin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, është deklaruar edhe komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, i cili bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës.
Gjenerali i KFOR-it në orët e mbrëmjes është takuar me ministrin kosovar të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, dhe tensionet për rezultatin e bisedimeve për çështjen e targave.
Me këtë rast komandanti i paqeruajtësve ndërkombëtarë u bëri thirrje palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë. Sipas një komunikate për medie Ristuccia ka thënë se “është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri, pas tensioneve në gusht”.
Gjeneralmajor Ristuccia tha se do të mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë.
“KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, me të gjitha kapacitetet e tij në dispozicion, për një mjedis të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it
Po ashtu KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Derisa komandanti i KFOR-it u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të situatës.