Zëvendëspresidenti kinez Han Zheng tha se vazhdimi i bisedimeve lidhur me ndryshimin klimatik ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është me rëndësi të madhe për të dy vendet dhe për botën në tërësi. Gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm presidencial të ShBA-së për klimën John Kerry në Nju-Jork, ku po zhvillohet sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Han theksoi: “Kina është e gatshme të forcojë komunikimin, të shtojë bashkëpunimin dhe të nxisë qeverisjen e klimës së bashku me ShBA-në, për të dhënë kontribut më të madh në zhvillimin e njerëzimit.”
Sipas tij, Kina ka ndërmarrë gjithmonë veprime konkrete për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe qeveria kineze ka vijuar kalimin drejt energjisë së gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni. Nga ana e tij, Kerry shprehu vlerësimin për arritjet e Kinës në përballimin e ndryshimit klimatik. Pala amerikane është e gatshme për dialog dhe bashkëpunim me Kinën mbi ndryshimin klimatik, shtoi ai.
Gjatë takimit të nivelit të lartë mbi rezultatet e bashkëpunimit të Nismës së Zhvillimit Global të organizuar nga Kina, gjatë sesionit të këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zv. presidenti kinez Han Zheng u shpreh se Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të nxitur përparimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të Nismës së Zhvillimit Global. Pala kineze gjithashtu pret me kënaqësi të bëjë përpjekje të përbashkëta me të gjitha palët për të bashkuar forcat për zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 dhe për ndërtimin e një komuniteti global me zhvillim të përbashkët- citon CMG.