Shkup, 4 Korrik – Sipas disa burimeve të TV21 kushtet brenda Spitalit Psikiatrik në Bardovcë të Shkupit lënë për të dëshiruar. Shkuam në klinikë, por drejtori Qamil Kovaçi për çështje sigurie nuk lejoi të xhirojmë brenda. Në deklaratën e tij tha se në disa reparte janë bërë renovime dhe kushtet janë të mira, por pranoi se ka reparte të cilat kanë nevojë për renovim.
“Janë disa reparte të cilat kanë nevojë për t’u rinovuar. Dhe me këtë domethënë të përmirësohen kushtet e nevojshme për funksionim më normal në kuadër të institucionit”, tha Qamil Kovaçi, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë –Shkup.
Përveç infrastrukturës së objektit ky spital në të ardhmen mund të përballet edhe me mungesën e kuadrit mjekësor, sidomos të mjekëve specialist psikiatër. Mjeket që punojnë aktualisht janë pranë pensionit.
“Në periudhën e afërt presim që të ballafaqohemi me problemin e kuadrit mjekësor, sidomos me kuadrin e lartë, me mjekët specialist psikiatër. Në këtë fazë jemi mirë, por për shkak të moshës e cila është tek personeli i lartë mjekësor, pritet që në të ardhmen të kemi probleme”, Qamil Kovaçi, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë –Shkup.
Kovaçi shtoi se vazhdimisht është në kontakt me ministrin e shëndetësisë dhe shpreson në përkrahjen e tij, për përmirësimin e kushteve në këtë spital.




