Shkup, 18 maj – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot është takuar me kryetarin e Lëvizjes “Besa” në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami.
Këtë e bëri të ditur Kasami me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin ka thënë se kanë biseduar për shumë çështje me rëndësi për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë drejtim biseduam për mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse për arsimim më cilësor në gjuhën shqipe. Për problemet e shumta që shfaqen në rrugën e ringritjes së arsimit shqip, sidomos për problemin e mungesës së furnizimit të nxënësve me libra nga ana e MASH-it dhe shumë problematika tjera”, ka thënë Kasami.
“Gjithashtu, diskutuam edhe për mungesën e një strategjie unifikuese mes pozitës dhe opozitës për çështjet jetike që janë me interes të përbashkët. Ishte një takim i frytshëm, vëllazëror dhe shumë përmbajtësor në drejtim të afirmimit të bashkëpunimit për shumë çështje me interes jetik për të dy vendet dhe me theks të veçantë për shqiptarët”, ka shkruar Kasami.